LUFTIME TË ASHPRA NË SOLEDAR

Zëvendësministrja e Mbrojtjes Hanna Malyar në një konferencë për shtyp deklaroi se numri i njësive ushtarake ruse në Ukrainë ka shkuar në 280 nga 250 që ishte një javë më parë, por pavarësisht kësaj sipas zëvendësministres forcat ukrainase po rezistojnë. „Rusia po i shtyn njerëzit e saj drejt masakrës, por ne po rezistojmë. Duhet të kujtojmë çmimin e kësaj lufte mizore, e cila nuk u provokua nga asgjë, por u nis nga Rusia,“ tha Hanna Malyar, zëvendesministrja e Mbrotjes. Rezistenca e forcave ukrainase u konfirmua edhe nga një zyrtar i instaluar nga Rusia në rajonin Donetsk të Ukrainës. Kremlini dhe ministria ruse e Mbrojtjes kanë preferuar të heshtin për situatën rreth qytetit. Në konferencën e saj të përditshme ushtarake, ministria ruse e Mbrojtjes deklaroi përmes zëdhënësit të saj se fushata ushtarake në rajonin e Donetskut po vazhdon me sukses, por pa iu referuar situatës në qytetin Soledar. Kapja e këtij qyteti do të kishte vlerë simbolike, ushtarake dhe tregtare për Moskën. Nëse forcat ruse arrijnë të kapin qytetin, kjo do të shënonte përparimin e parë territorial në konflikt nga Rusia që nga korriku i kaluar.

SHARE