

Foto: Reuters
Kancelari gjerman Friedrich Merz deklaroi se Mali i Zi, si kandidati më i avancuar për anëtarësim në BE, është i gatshëm të kalojë në fazën tjetër të procesit dhe se duhet të nisë sa më shpejt puna në marrëveshjen e anëtarësimit.
Këtë e tha gjatë një konference të përbashkët me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte.
Merz theksoi se integrimi i ngushtë me Malin e Zi është në interes të Gjermanisë dhe BE-së, veçanërisht në fushën e kontrollit të migracionit të paligjshëm.
Ai u shpreh se bashkëpunimi më i madh do të forcojë veprimin e përbashkët evropian.
Ambasadorët e vendeve të BE-së pritet që më 12 dhjetor të miratojnë pozicionet negociuese për pesë kapituj të rëndësishëm: lirinë e ofrimit të shërbimeve, lëvizjen e kapitalit, të drejtën e shoqërive tregtare, bujqësinë dhe zhvillimin rural, si dhe peshkimin.
Në konferencën ndërqeveritare në Bruksel, Mali i Zi pritet t’i mbyllë këto pesë kapituj.
Nëse planet ecin sipas parashikimeve, vendi do të hyjë në vitin e ardhshëm, që llogaritet vendimtar, me 12 kapituj të mbyllur, ndërsa synimi është që deri në vitin 2026 të mbyllen mbi 20 kapituj, që do të hapte rrugën për anëtarësimin në BE deri në fund të vitit 2028. Mali i Zi i ka përmbushur gjithashtu kushtet për mbylljen e Kapitullit 31, por vendimi u shty me kërkesë të Kroacisë.
Të rikujtojmë se Mali i Zi ka status kandidati që nga dhjetori i vitit 2010 dhe procesin e negociatave e ka nisur në vitin 2012, duke hapur 33 kapituj.









