KLODIAN BRAHO ZGJIDHET KREU I RI I SPAK-ut

Klodian Braho është zgjedhur sot drejtuesi i ri i Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK). Ai do të marrë detyrën pas përfundimit të mandatit të Altin Dumanit.

Braho u përzgjodh nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë përmes një procesi votimi të hapur dhe nominal, ku mori 7 vota. Ndërkohë, kandidati Adnan Xholi mori 3 vota, Elvin Gokaj mori 1 votë ndërsa Doloreza Musabelliu nuk mori asnjë votë.

Me 18 vite eksperiencë në sistemin e drejtësisë dhe si pjesë e SPAK që prej krijimit, Braho theksoi gjatë prezantimit para KLP-së arritjet e tij, mes tyre edhe konfiskimin e 18.4 milionë eurove në vitin 2023, një shumë sa dyfishi i buxhetit vjetor të institucionit.

Në vizionin e tij, Braho tha se synon konsolidimin e SPAK, forcimin e rolit të BKH-së dhe ngritjen e një sektori të posaçëm për analizën e informacionit. Ai u shpreh se lufta kundër korrupsionit dhe garantimi i barazisë para ligjit janë prioritetet kryesore të kandidimit të tij. Braho theksoi rëndësinë e mbështetjes së pavarësisë së prokurorëve.

SHARE