Foto: Qeveria e Malit të Zi / Vlada Crne Gore
Zëvendëskryeministri dhe ministër i Punëve të Jashtme të Malit të Zi, Ervin Ibrahimoviq, ka dërguar një mesazh të qartë për vendosmërinë e Malit të Zi në rrugën drejt Bashkimit Evropian.
Ai theksoi se anëtarësimi i të gjitha shteteve të Ballkanit Perëndimor në BE është i dëshirueshëm, por se Mali i Zi, si lider në procesin e integrimeve, nuk duhet të presë askënd në rrugën e vet drejt Evropës.
Ibrahimoviq deklaroi se anëtarësimi në BE garanton stabilitet politik, ekonomik dhe të përgjithshëm për secilën shtet dhe për rajonin.
Ai shtoi se kjo mund të arrihet vetëm me reforma reale dhe pranimin e vlerave evropiane, respektimin e të drejtave të njeriut dhe harmonizimin e politikave të jashtme me BE-në.
Sipas tij, Mali i Zi është i gatshëm të përmbyllë reformat deri në fund të vitit 2026, ndërsa anëtarësimi në BE pritet si hap logjik në vitin 2028.
Ai theksoi se vendi mbetet i përkushtuar për të mbështetur të gjitha shtetet e rajonit në rrugën e tyre drejt BE-së, por se nuk mund të ndalë përparimin e vet.
Ibrahimoviq përfundoi se me hyrjen e Malit të Zi në BE, vendet e rajonit dhe kandidatët për anëtarësim do të fitojnë një partner dhe lobist të sinqertë brenda Unionit. “Shihem në BE!”, theksoi ai.










