JAVËN E ARDHSHME, DEPUTETËT DO TË DISKUTOJNË PËR BUXHETIN DHE VENDIMIN PËR HUAMARRJEN

Foto: Kuvendi i Malit të Zi / Skupština Crne Gore

Deputetët duhet të diskutojnë projektligjin për buxhetin e Malit të Zi për vitin e ardhshëm dhe vendimin për huamarrje në seancën e Kuvendit të caktuar për me 17 dhjetor.

Qeveria në seancën e 15 nëntorit miratoi Projektligjin për buxhetin për vitin vijues.

Ministri i Financave Novica Vukoviq tha më herët se trendet e vazhdueshme pozitive ekonomike me realizimin e një norme reale të rritjes prej 4.8 për qind në vitin e ardhshëm dhe kufizimi i presioneve inflacioniste janë tiparet themelore të buxhetit.

Drejtuesit kryesorë të rritjes ekonomike janë, siç tha ai, konsumi personal i familjes, fillimi i një cikli të ri investimi që do të stimulohet duke përmirësuar mjedisin e biznesit nëpërmjet reformave rregullatore dhe reduktimin e ekonomisë gri, vazhdimi i tendencave të favorshme në turizëm dhe zbatimi i reformave strukturore.

Të hyrat fillestare buxhetore për vitin e ardhshëm janë planifikuar në vlerë prej 2,88 miliardë euro.

Shpenzimet totale janë planifikuar në vlerë prej 4.03 miliardë euro dhe janë 505 milionë më shumë se sivjet.

Për nevojat e të drejtave në fushën e sigurimit pensional dhe invalidor janë ndarë 777 milionë euro, për transportin 242 milionë, shëndetësinë 474 milionë dhe arsimin dhe shkencën 362 milionë euro. Buxheti kapital është parashikuar rreth 280 milionë dhe në kuadër të tij do të financohen 341 projekte.

Kur është fjala për vendimin për huarmarrje, Vukoviq tha se është përcaktuar në 1.14 miliardë euro, por se për shkak të rezervës që kemi arritur të krijojmë këtë vit, besojnë se do të huazohen deri në 900 milionë për të financuar detyrimet e periudhës paraprake.

SHARE