Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka reaguar në lidhje me zhvillimet e fundit në veri të Kosovës, duke theksuar se sulmet mbi Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimit të Ligjit në Kosovë (EULEX) janë të dënueshme pa asnjë ekuivok sipas tij, ashtu siç është i dënueshëm çdo akt dhune ndaj Policisë së Kosovës, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në një reagim në rrjetet sociale, Rama shkruan se rishfaqja e barrikadave në veri të Kosovës, bie ndesh me çdo ligj e çdo frymë dialogu dhe sipas tij, “e jo vetëm nuk zgjidh asgjë, po përkundrazi komplikon më tej çdo gjë”.
“Shtyrja e votimeve nga ana e Presidentes së Republikës së Kosovës është një sinjal kuptimplotë, të cilit autoritetet e larta të Beogradit duhet t’i përgjigjen me të njëjtën frymë dhe ndjenjë përgjegjësie, për moslejimin e përshkallëzimeve të mëtejshme të akteve destabilizuese”, thekson Rama.
Kryeministri Rama shton më tej se Beogradi duhet të ushtrojë ndikimin e vet mbi serbët e veriut të Kosovës, “pa i justifikuar assesi veprimet e tyre cilatdoqofshin arsyet”. “Arsyet diskutohen nuk përdoren si armë kundër policisë e si barrikada kundër rendit ligjor. BE-ja duhet të thërrasë urgjent tryezën e dialogut”, shkruan Rama.
Kujtojmë se Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimit të Ligjit në Kosovë (EULEX) ka njoftuar se është sulmuar një patrullë e këtij misioni me shok-bombë në mbrëmjen e së shtunës në afërsi të barrikadës së vendosur nga serbët lokalë në Rudarë.
Gjithashtu dje gjatë patrullimit janë sulmuar në veri edhe pjesëtarët e Policisë së Kosovës nga grupe që kryen bllokimin e disa rrugëve në veri të vendit.