MË SHUMË SE 1300 RASTE TË DHUNËS NË FAMILJE

Në gjysmën e parë të vitit, në gjykatat për kundërvajtje në Mal të Zi janë paraqitur mbi 1.3 mijë raste të dhunës në familje, tha Mbrojtësi i të Drejtave dhe Lirive të Njeriut Sinisha Bjekoviq. Në konferencën “Si ta mbrojmë familjen nga dhuna në familje”, Bjekoviq tha se sipas shumë hulumtimeve raportohet vetëm një e pesta e rasteve të dhunës në familje. Ai tha se çështja nuk ka të bëjë me mbrojtjen e të dobëtëve, sepse sipas shumë treguesve, femrat janë burime shumë më të forta se meshkujt, sa i përket punës formale dhe joformale. Nënkryetarja e Kuvendit, Branka Boshnjak, vlerësoi se sektori civil është shumë më aktiv se sa shteti për mbrojtjen e viktimave.“Është tragjike. Ka hapa përpara, por janë të vegjël”, tha Boshnjak. Ajo tha se baza e problemit nuk është legjislacioni i keq. Po ashtu, ajo deklaroi se dëshmitarët që guxojnë të denoncojnë dhunën nuk mbrohen, por shpesh bëhen viktima edhe vetë, sepse kanë qenë të ndërgjegjshëm. “Ka pasur vrasje dhe mosveprime këtë vit nga shteti. Ne po u dërgojmë mesazh viktimave se shteti nuk është aq i fuqishëm për t’i mbrojtur ata”, tha Boshnjak.

SHARE