Në Shqipëri është protestuar përsëri për shkak të vdekjes së një të riu pasi u plagos fillimisht gjatë ndjekjes nga policia dhe më pas ndërroi jetë në spital, protesta që janë shoqëruar edhe me akte dhune dhe dëme materiale. Protestat vazhduan në Tiranë, por edhe në disa qytete të tjera të vendit, si në Korçë, Berat dhe Lezhë, ndërkohë që Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, njoftoi se ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, ka dhënë dorëheqjen në lidhje me ngjarjen ku mbeti i vdekur i riu. Dhjetëra qytetarë, përfshirë edhe aktivistë të shoqërisë civile, me sloganin “Pa drejtësi nuk ka qetësi”, kanë nisur fillimisht protestën e tyre para selisë së Ministrisë së Brendshme në Tiranë, protestë e cila ka filluar me tensione, pasi protestuesit kanë hedhur gurë dhe sende të tjera ndaj forcave të policisë. Vrasja e 25-vjeçarit ndodhi në një lagje të Tiranës, pasi ai kishte thyer rregullat e pandemisë dhe policia ka thënë se ai ka kryer disa lëvizje të dyshimta, ka kërcënuar forcat e rendit dhe ka qenë i armatosur. Polici që qëlloi për vdekje Rashën është arrestuar për tejkalim të kompetencave, ndërkaq familjarët e viktimës kanë thënë se ai ka qenë i paarmatosur.