PRESIDENTJA THËRRET NË TAKIM PARTITË PËR TË CAKTUAR DATËN E ZGJEDHJEVE NË VERI

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka ftuar në takim për 14 nëntor, subjektet politike të përfaqësuara në Kuvendin e Kosovës për caktimin e datës së zgjedhjeve të parakohshme për kryetarë të katër komunave në veri – Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan. Kryetarët e këtyre komunave të banuara me shumicë serbe kanë dhënë dorëheqje më 5 nëntor, në shenjë kundërshtimi ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës për të nisur procesin për riregjistrimin e makinave me targa të paligjshme serbe. Në njoftimin e presidencës, më 11 nëntor, thuhet pas konsultimit me partitë politike, Osmani pritet ta shpallë datën e zgjedhjeve të jashtëzakonshme. Ligji për zgjedhjet lokale në Kosovë thotë se “pas shpërbërjes së Kuvendit të Komunës, ose shkarkimit të kryetarit të Kuvendit Komunal, nëse nuk parashtrohet ankesë në afat prej pesë ditësh te Gjykata Kushtetuese, zgjedhjet e parakohshme lokale shpallen nga presidenti i Kosovës”. Zgjedhjet, sipas Ligjit, shpallen jo më vonë se dhjetë ditë pas shpërbërjes së kuvendeve komunale, ndërsa duhet të mbahen më herët se 30 ditë dhe jo më vonë se 45 ditë pas shpërbërjes së tyre.

SHARE