Qeveria e Malit të Zi dhe Kuvendi nuk kanë arritur të demonstrojnë në praktikë përkushtimin e tyre ndaj agjendës së reformave në raport me Bashkimin Evropian (BE), theksohet në draft-raportin e Komisionit Evropian kushtuar Malit të Zi. “Polarizimi i tensioneve politike dhe mungesa e angazhimit midis partive politike dhe dështimi për të ndërtuar konsensus për çështjet kyçe të interesit kombëtar vazhduan dhe çuan në rënien e dy qeverive të ndara gjatë votimit të mosbesimit,” thuhet në dokument. Dokumenti duhet të miratohet nga kolegjiumi i KE-së. Përmendet se marrëveshja për Kishën Ortodokse Serbe (KOS) ka ndikuar në atmosferën politike dhe ka shkaktuar rritje të tensioneve. Ekspertët e Komisionit Evropian deklarojnë se nuk është bërë asnjë përparim në lidhje me reformën gjithëpërfshirëse të kuadrit ligjor dhe institucional zgjedhor, duke përfshirë rekomandimet e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) dhe Zyrës për Institucionet Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut (ODHIR) pas misionit vëzhgues të zgjedhjeve parlamentare në Mal të Zi të mbajtura në vitin 2020. Po ashtu, thuhet se puna e Kuvendit u karakterizua nga bojkoti i mazhorancës dhe opozitës, ndryshimet në qeveri dhe shkarkimi i dy kryetarëve të Kuvendit. Komisioni Evropian do të publikojë paketën e zgjerimit së bashku me raporte të veçanta për çdo vend që është në proces të integrimit evropian më 12 tetor.