KOMISIONI KUSHTETUES SHTYN DEKLARIMIN PËR KANDIDATËT NË GJYKATËN KUSHTETUES

Komisioni Kushtetues i Parlamentit të Malit të Zi sot duhej të përcaktonte propozimin për zgjedhjen e katër gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese, por deklarimi u shty për të enjten. Zgjedhja e gjyqtarëve të rinj të Gjykatës Kushtetuese kërkon mbështetjen e 54 deputetëve, gjë që për momentin nuk është e sigurt se do të ndodhë, duke pasur parasysh krizën politike në të cilën ndodhet Mali i Zi. Kryetarja e Komisionit Kushtetues, Simonida Kordiq, tha në seancë se nga krerët e klubeve parlamentare është njoftuar se për momentin nuk ka një marrëveshje të finalizuar prej dy të tretave për katër gjyqtarët dhe nevojitet kohë për të mundësuar kompletimin e Gjykatës Kushtetuese.  Kordiq theksoi se duhet ta kompletojnë Gjykatën Kushtetuese për shkak të zhbllokimit të atij institucioni, zgjedhjeve të ardhshme, integrimeve evropiane, por më së shumti për hir të qytetarëve.

SHARE