RAMA: ZJARRVËNIA ME QËLLIM ËSHTË TRADHTI NDAJ TOKËS TONË, DUHET RISHIKUAR KODI PENAL

Aktualisht në territorin e Shqipërisë janë aktive 14 vatra zjarri, shumica e të cilave dyshohet se janë shkaktuar me qëllim.

Ky fenomen i përsëritur çdo verë po kthehet në një shqetësim serioz, i cili ka marrë vëmendjen e kryeministrit Edi Rama.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, kreu i qeverisë ndau pamje të regjistruara nga një dron “Bajraktar”, ku sipas tij, dokumentohet një rast i dyshuar i zjarrvënies së qëllimshme.

Rama theksoi se “të ndezësh zjarr me qëllim nuk është vetëm krim, por është tradhti ndaj tokës sonë dhe të ardhmes së fëmijëve tanë”.

Në të njëjtin reagim, ai shtoi se Policia e Shtetit është në terren për të ndjekur penalisht çdo individ që i vë flakën pasurisë së përbashkët, ndërsa theksoi nevojën për ta trajtuar zjarrvënien me qëllim si një akt të rëndë penal.

“Ndërkohë, në këtë kohë të vështirë ngrohjeje globale dhe flakësh që po sfidojnë të gjitha shtetet e Mesdheut, zjarrvënien do të duhet ta barazojmë me vrasjen në Kodin Penal”, u shpreh Rama.

Aktualisht, Kodi Penal i Republikës së Shqipërisë parashikon dënime të rënda për zjarrvënësit.

Neni 151 i kodit dënon “shkatërrimin apo dëmtimin me dashje të pronës me zjarr” me gjobë ose deri në 5 vjet burg.

Nëse shkaktohen pasoja materiale të rënda, dënimi mund të shkojë deri në 10 vjet, dhe deri në 15 vjet në rast se preken jeta ose shëndeti i njerëzve.

Për rastet që lidhen me fondin pyjor, neni 206/a parashikon masa më të ashpra:

  • 5 deri në 8 vjet burg për dëmtime me pasoja materiale të rënda në pyje;
  • 5 deri në 15 vjet burg nëse zjarri është vënë me qëllim ndryshimin e destinacionit të tokës;
  • 10 deri në 20 vjet burg në rast dëmtimesh të rënda ndaj pronës, jetës, shëndetit apo mjedisit.

Gjatë pesë javëve të fundit, nga veriu në jug, qindra efektivë të forcave zjarrfikëse dhe të armatosura janë angazhuar në terren për shuarjen e flakëve.

Në operacione kanë asistuar edhe helikopterët e ushtrisë shqiptare, si dhe avionë “canader” të ardhur nga Kroacia dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.

Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të bashkëpunojnë për parandalimin e zjarreve dhe raportimin e çdo rasti të dyshuar të zjarrvënies së qëllimshme.

SHARE