Kosova, Shqipëria dhe Kroacia po punojnë për ta konkretizuar në praktikë bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes për të cilin u dakorduan në letër para rreth pesë muajsh, kur ministrat e Mbrojtjes nënshkruan një deklaratë të përbashkët më 18 mars në Tiranë.
Ministritë e Mbrojtjes nga Kosova dhe Shqipëria konfirmuan për Radion Evropa e Lirë se grupe të ekspertëve po punojnë për planin e zbatimit të deklaratës.
Ministri në detyrë i Mbrojtjes i Kosovës, Ejup Maqedonci, thotë se më 18 korrik në Tiranë është mbajtur takimi i grupit zbatues “për ta zbërthyer planin në nivel operacional”.
Nga Ministria e Mbrojtjes e Shqipërisë, e cila ishte mikpritëse e ceremonisë së nënshkrimit të marrëveshjes, thanë se në shtator të këtij viti do t’u paraqitet për miratim ministrive të Shqipërisë, Kosovës dhe Kroacisë udhëzuesi i cili është drejt finalizimit.
Në deklaratën që u nënshkrua nga ministri në detyrë i Mbrojtjes i Kosovës, Ejup Maqedonci, ai i Shqipërisë, Pirro Vengu, dhe i Kroacisë, Ivan Anushiq, u vendosën katër pika bashkëpunimi: Promovimi i kapaciteteve mbrojtëse dhe bashkëpunimi për industrinë përkatëse; Rritja e ndërveprueshmërisë nëpërmjet edukimit, trajnimeve dhe stërvitjeve; Kundërpërgjigja ndaj kërcënimeve hibride dhe rritja e qëndrueshmërisë; Ofrimi i mbështetjes së plotë për integrimin euroatlantik.
Në tekstin e deklaratës u tha se ky bashkëpunim është për të siguruar pozicionim të mirë për t’u bërë ballë kërcënimeve dhe për të arritur objektivat e mbrojtjes dhe sigurisë.
Blerjet e përbashkëta të armatimit
Blerja e kapaciteteve mbrojtëse është angazhimi i parë në deklaratë për të cilën u zotuan ministrat e Mbrojtjes.
Në këtë aspekt, sipas Maqedoncit, synohet që të bëhet një porosi për blerje, në vend të tri porosive të veçanta nga secili shtet.
“Për shembull një sistem [armësh] që jemi të interesuar të tri shtetet ta blejmë nga SHBA-ja, ta bëjmë porosinë si një blerje, duke shfrytëzuar legjislaturën e secilit vend, por që sasia dhe koha e liferimit të determinohet si e përbashkët, sepse prej SHBA-së kur blen më shumë, kushtojnë më lirë dhe vijnë më shpejt”, thotë Maqedonci për Radion Evropa e Lirë.
Këto blerje parashihet të bëhen me fonde kombëtare të secilit shtet.
Maqedonci pret që shtetet partnere në këtë marrëveshje do të ndihmojnë Kosovën drejt integrimit euroatlantik, siç thotë se zotohen në deklaratë, në mënyrë specifike sa i përket anëtarësimit të Kosovës në Partneritetin për Paqe të NATO-s.