Australia ka bërë të ditur se do të njohë zyrtarisht shtetin palestinez gjatë Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara që zhvillohet në shtator.
Lajmin e konfirmoi kryeministri australian Anthony Albanese, i cili theksoi se vendimi është një hap drejt ndalimit të ciklit të dhunës në Lindjen e Mesme.
“Zgjidhja me dy shtete është shpresa më e madhe e njerëzimit për t’i dhënë fund konfliktit, vuajtjeve dhe urisë në Gazë. Pa një njohje të ndërsjellë të shtetësisë së Izraelit dhe Palestinës, paqja nuk mund të jetë e qëndrueshme,” deklaroi Albanese.
Ai shtoi se Australia do të bashkëpunojë ngushtë me komunitetin ndërkombëtar për ta bërë realitet të drejtën e popullit palestinez për një shtet të vetin.
Australia i bashkohet kështu vendeve si Franca, Britania, Kanadaja dhe të tjera që kanë shprehur mbështetje për shtetësinë palestineze, veçanërisht pas nisjes së luftës në Gazë gati dy vjet më parë, pas sulmeve të 7 tetorit nga Hamasi ndaj Izraelit.
Grupi islamik Hamasi është shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.
Kryeministri australian theksoi se vendimi është marrë në bazë të angazhimeve të marra nga Autoriteti Palestinez, i cili ka garantuar se në një shtet të ardhshëm palestinez “nuk do të ketë rol për terroristët e Hamasit”.
Megjithatë, realiteti në terren mbetet kompleks, pasi Autoriteti Palestinez nuk ka kontroll në Rripin e Gazës, i cili prej afro dy dekadash qeveriset nga Hamasi.
Nga ana tjetër, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka kundërshtuar me forcë njohjen ndërkombëtare të shtetësisë palestineze, duke paralajmëruar se një veprim i tillë “nuk do të sjellë paqe, por përkundrazi, do të nxisë më shumë luftë”.
Pavarësisht kundërshtive, Australia e konsideron këtë hap si pjesë të angazhimit të saj për paqe të qëndrueshme në rajon dhe synon të luajë një rol konstruktiv në zgjidhjen e konfliktit izraelito-palestinez.