UKRAINA DO TË HAPË KORRIDOR HUMANITAR PËR ANIJET E BLLOKUARA

Ukraina do të hapë një korridor humanitar në Detin e Zi për të liruar anijet të cilat mbeten të bllokuara në portet e saj që nga shpërthimi i luftës.

Vendimi vjen që kur Moska braktisi një marrëveshje muajin e kaluar për të lejuar Kievin të eksportonte grurë nga portet. Korridori do të zbatohej për anijet me kontejnerë që kanë ngecur në portet e Ukrainës që nga pushtimi rus në Shkurt 2022 dhe nuk mbuloheshin nga marrëveshja që hapi portet për dërgesat e grurit vitin e kaluar.

Kjo mund të jetë provë e aftësisë së Ukrainës për të rihapur rrugët detare në një kohë kur Rusia po përpiqet të rivendosë bllokadën e saj de-fakto. Gazeta lokale e lajmeve “The Kyiv Independent” raportoi se marina e Ukrainës ka paralajmëruar se kërcënimet ushtarake nga Rusia , si dhe minat detare, mbeten përgjatë të gjitha rrugëve të transportit.

Rrugët do të përdoren kryesisht për anijet civile që kanë qenë në portet ukrainase të Chornomorsk, Odesa dhe Pivdennyi që nga fillimi i pushtimit në shkallë të plotë nga Rusia më 24 Shkurt 2022. Në një deklaratë marina ukrainase tha se korridori do të jetë shumë transparent dhe do të survejohet nga kamera dhe i gjithë misioni do të jetë humanitar.

Ndërkaq disa shpërthime u dëgjuan në kryeqytetin ukrainas Kiev pasi autoritetet shpallën një alarm mbarëkombëtar për sulm ajror. Autoritetet ukrainase bën të ditur se Rusia lëshoi raketa hipersonike në rajonin e Kievit. Mbetjet e raketave ruse ranë në një spital fëmijësh por pa shkaktuar viktima. Dëshmitarët në qendër të qytetit thanë se dëgjuan dy shpërthime të forta, por nuk mund të tregonin se nga vinin.

Nga ana tjetër hapësira ajrore në dy aeroporte ruse u mbyll përkohësisht, ndërsa fluturimet u anuluan pasi një dron u rrëzua në kryeqytet. Mbetjet e dronit ranë në veriperëndim të Moskës duke mos shkaktuar dëme serioze dhe pa viktima.

SHARE