VUÇIQ, SKEPTIK SE TAKIMI ME KURTIN DO TË PRODHOJË NDONJË REZULTAT

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se është skeptik sa i përket arritjes së ndonjë rezultati në rundin e ri të dialogut me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti. “Po shkoj në Bruksel për të biseduar, nuk shpresoj për ndonjë rezultat, por po shkoj për bisedime”, tha Vuçiç për gazetarët në Beograd më 11 gusht. “Atyre nuk u intereson se çfarë do të thotë Beogradi, kështu që unë as nuk e di se për çfarë është dialogu. Ata që deklaruan se duhet të bisedohet për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, si dhe që duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, më lejoni që t’i pyes ata se a po bëjnë shaka? Çfarë kemi negociuar”, tha Vuçiç. Vuçiç po ashtu tha se beson se Kosova do të jetë në agjendën e Kuvendit të Serbisë gjatë muajit shtator. “Besoj se në shtator Kuvendi do të analizojë situatën me Kosovën dhe Metohinë. Ky është obligimi ynë. Qytetarët duhet të dëgjojnë se cili është obligimi ynë dhe shpresoj që arsyeja të mbizotërojë”, shtoi ai. Vuçiç po ashtu tha se ka informacione për plane lidhur me veriun e Kosovës. “Ata po përgatisin likuidimin e popullit tonë në veri”, tha Vuçiç, duke paralajmëruar kundër një gjëje të tillë. “Kërkesa ime për shtetet e QUINT-it është që të mos e bëjnë këtë, Kurti të mos i gënjejë ata. Nuk ka pasur të shtëna në veri, nuk do të lejojmë askënd që të hapë zjarr ndaj ushtarëve dhe policëve tanë në Serbinë qendrore, madje as ndaj NATO-s. Unë u kërkoj që të mos synojnë të bëjnë diçka të tillë”, tha Vuçiç duke mos specifikuar se çfarë planeve po i referohej. Presidenti serb po ashtu i quajti të rreme akuzat për interesimin dhe përfshirjen e Rusisë në situatën në Kosovë. “Ata përmendin Rusinë, madje [zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria] Zakharova tha se ne nuk kemi kërkuar ndihmë. Çfarë tjetër po shpikin? Ne kemi shtetin dhe Kushtetutën tonë dhe të drejtën ndërkombëtare në anën tonë”, tha ai. Vuçiç tha për gazetarët se ai shpreson se do të ketë një zgjidhje paqësore me Kosovën. Lideri serb shtoi se shpreson që vendet e QUINT-it (Shtetet e Bashkuara, Mbretëria e Bashkuar, Gjermania, Italia dhe Franca), siç u shpreh, të detyrojnë autoritetet në Kosovë për këtë (zgjidhjen paqësore). Zëdhënësi i BE-së për Çështje të Jashtme dhe Politika të Sigurisë, Peter Stano, duke komentuar takimin e ardhshëm në mes presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti gjatë të enjtes së ardhshme, ka thënë se po angazhohen për të çuar përpara të gjitha çështjet në dialog, sepse pa progres në dialog nuk do të ketë progres në rrugën e anëtarësimit në BE të të dyja vendeve. Stano i bëri këto komente gjatë një konference për media, ku është pyetur edhe për çështjen e reciprocitetit me targa në mes Kosovës dhe Serbisë, e cila është diskutuar tash e sa kohë në Bruksel por që nuk është zgjidhur.

SHARE