ART CLUB: U PËRURUA LIBRI “BALADA POPULLORE TË SHQIPTARËVE NË MALIN E ZI” I AUTORIT ISMAIL DODA

Në sallën e mbushur përplot të Shtëpisë së Kulturës – Ostros, të mërkurën (10 gusht 2022) është bërë përurimi i përmbledhjes “Balada popullore të shqiptarëve në Malin e Zi” të autorit Ismail Doda.  Në emër të organizatorëve kanë përshëndetur kryetari i Bashkësisë Lokale – Ostros, Beqir Berjashi, dhe kryetari i Shoqatës së Artistëve dhe Intelektualëve “Art Club”, Ismet Kallaba, kurse për librin kanë folur Qazim Muja dhe Faik Nika. Të gjithë kanë vlerësuar punën e jashtëzakonshme të autorit për vjeljen e thesarit popullor në trevat ku jetojnë shqiptarët në Malin e Zi të sotëm. Sipas folësve, këngët popullore që autori i ka mbledhur me aq kujdes, “tregojnë për vazhdimësinë historike të shtresimeve, gërshetimeve dhe ndërthurjeve të ndryshme krijuese e shpirtërore të shqiptarëve në Malin e Zi në veçanti, dhe të popullit tonë në përgjithësi, të cilat rezultojnë si pasuri e jashtëzakonshme kulturore, materiale dhe shpirtërore, që do mbeten trashëgimi brilante e brezave”. Në fjalën e tij, Dr. Ismail Doda, ka falënderuar 72 këngëtarët prej të cilëve i ka mbledhur këngët popullore (baladat), si dhe ata që e kanë mbështetur e ndihmuar në përgatitjen dhe botimin e librit.  Libri “Balada popullore të shqiptarëve në Malin e Zi” është botuar nga Shoqata e Artistëve dhe Intelektualëve “Art Club” në muajin prill të këtij viti. Ai paraqet kurorëzimin e punës prej disa dhjetëra vitesh të Ismail Dodës dhe është cilësuar nga studiuesit dhe kritika si vepër jetësore e autorit. Ndërkohë është paralajmëruar se autori po punon për vëllimin e dytë, që përfshin studimin e baladave popullore, i cili pritet të jetë shpejt në duart e lexuesit.

SHARE