Kuvendi i Kosovës nuk është konstituuar as në përpjekjen e 45-të, meqë partitë politike vazhdojnë të ngulojnë se kanë të drejtë në qëndrimet e veta.
Në seancën e 11 korrikut kanë marrë pjesë 93 deputetë.
Abelard Tahiri nga Partia Demokratike e Kosovës e ka akuzuar kryesuesin e seancës Avni Dehari – nga Lëvizja Vetëvendosje – për shkelje të Kushtetutës.
“Kjo është e papranueshme”, ka thënë Tahiri nga foltorja e Kuvendit, teksa Dehari ka kërkuar që atij t’i ndalet mikrofoni. Akuza kundër Deharit kanë pasur edhe përfaqësues të partive tjera, të cilëve, gjithashtu u është ndalur mikrofoni.
Pjesëtarë të shoqërisë civile kanë protestuar sërish para ndërtesës së Kuvendit duke i thirrur deputetët në përgjegjësi.
Ata janë parë duke mbajtur në duart pankarta me mbishkrimet: “Demokracia nuk është veç procedurë”, “Cirku i Republikës së Kosovës”, “120 rroga, 0 përgjegjësi”, e tjera.
Palët vazhdojnë të mos gjejnë një kompromis ndonëse ec afati i përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese për konstitutim të Kuvendit.
Ndonëse gjykata e ka përcaktuar 26 korrikun si afat të fundit për konstituim, ajo nuk ka ofruar më shumë hollësi se çfarë ndodh tutje nëse partitë nuk merren vesh deri atëherë.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani është takuar me përfaqësuesit e partive politike ditë më parë, me shpresën e gjetjes së një zgjidhjeje, mirëpo situata nuk ka ndryshuar.
Ajo e ka përmendur edhe mundësinë që t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për sqarime shtesë.