KURTI DHE OSMANI PËRKUJTOJNË 27 VJETORIN E MASAKRËS SË SREBRENICËS

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka përkujtuar masakrën e Srebrenicës, e cila ndodhi 27 vite më parë. Kurti ka thënë se ajo çfarë ka ndodhur para 27 viteve nuk është asgjë më pak se gjenocid. “Dëmi i shkaktuar nga gjenocidi i Srebrenicës është i shumëfishtë. Ai shkon përtej 8.273 burrave dhe djemve të vrarë. Përtej 30 mijë fëmijëve e pleqve të abuzuar e të shpërngulur me dhunë. Dëmi i shkaktuar transferohet secilin vit te dhimbja e nënave. Lotët e motrave. Traumat e përjetuara. Vuajtjet e pakontrolluara”, ka shkruar Kurti. Kryeministri ka theksuar se dëmi i shkaktuar nga gjenocidi nuk mund të riparohet, por ai mund të njihet duke u pranuar. “E në kohën kur jetojmë ne, viktimave u vendoset kripë në plagë secilën ditë kur gjenocidi i Srebrenicës mohohet paturpshëm nga Serbia”, ka shkruar Kurti në Facebook. Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka kujtuar 27 vjetorin e masakrës së Srebrenicës. Përmes një postimi në Twitter, Osmani ka shkruar se sot zemrat tona janë me të dashurit e tyre. “27 vjet pas gjenocidit të Srebrenicës, ne kujtojmë 8,372 djemtë dhe burrat boshnjakë të vrarë pa mëshirë nga forcat serbe. Sot, zemrat tona janë me të dashurit e tyre. Ne të gjithë duhet të jemi të bashkuar kundër përpjekjeve për të lavdëruar ose mohuar këtë mizori të tmerrshme”, ka shkruar Osmani.

SHARE