GJUKANOVIQ: RËNIA E QEVERISË MUND TË NGADALËSOJË RRUGËN DREJT BE-së, DO TË FLASIM ME TË GJITHË

Presidenti i Malit të Zi Millo Gjukanoviq tha se Partia Demokratike e Socialistëve (PDS) është e vetëdijshme se rënia e Qeverisë së Malit të Zi mund të ngadalësojë procesin e integrimit evropian, por që si partia më e fortë parlamentare nuk kanë të drejtë të tolerojnë punën e një qeverie që neglizhon interesat e shtetit të Malit të Zi. Pas takimit me kolegun bullgar Rumen Radev në Cetinë, ai theksoi se do të bisedojë me të gjithë për zgjidhjen e krizës politike dhe se nuk ka dyer të mbyllura. “Ne e dimë se cilët janë partnerët tanë që janë më afër nesh në arritjen e qëllimeve tona politike. Tashmë bëhet fjalë për ndërtimin e një partneriteti teknik, për të realizuar synimin politik, që është delegjitimimi i qeverisë aktuale dhe përcaktimi i një skenari përmes të cilit Mali i Zi del nga një situatë e tillë”, tha Gjukanoviq. Kjo është, siç tha ai, “çështje e përgjegjësisë së përbashkët për zbatimin e një vendimi politik”, pra krijimi i supozimeve për organizimin e ardhshëm të zgjedhjeve në mënyrë që “Mali i Zi të dalë nga kjo situatë” dhe të arrijë një qeveri politike që do të udhëheqë vendin për katër vitet e ardhshme. Gjukanoviq kujtoi gjithashtu se si gjatë rënies së qeverisë së kaluar, ai e kishte paraqitur idenë për të shkuar në zgjedhje të parakohshme, por se shumica e partive ishin skeptike ndaj një skenari të tillë. „Kushtetuta ofron më shumë mundësi, i ofron votim mosbesimit të Qeverisë, duke shkurtuar mandatin e parlamentit. Do të bisedojmë me subjektet e tjera parlamentare dhe do të shohim se për cilin skenar mund të arrihet një konsensus,“ theksoi Gjukanoviq. Gjukanoviq ndër të tjera i tha kolegut të tij bullgar se Mali i Zi ka mbështetjen e Bullgarisë në rrugën drejt integrimit evropian. Siç tha ai, mundësinë e bashkëpunimit në fushën e turizmit e vlerësoi reale, pasi Mali i Zi dhe Bullgaria janë destinacione turistike. Nga ana tjetër, Radev tha se Mali i Zi është vend mik i bullgarëve, duke theksuar se beson se vendi ynë së shpejti do të mirëpritet në familjen evropiane.

SHARE