Foto: Qeveria e Malit të Zi / Vlada Crne Gore
Kryeministri i Malit të Zi, Millojko Spajiq, deklaroi para gazetarëve se çështja e koncesioneve për aeroportet pritet të sqarohet shumë shpejt.
Ai theksoi se e kupton pakënaqësinë e qytetarëve që protestojnë dhe bllokojnë rrugët, por u bëri thirrje që të kenë parasysh rëndësinë që ka turizmi për ekonominë e vendit, pasi veprimet e tilla, sipas tij, mund të rrezikojnë të ardhmen e tyre.
Në lidhje me koncesionet për aeroportet e Podgoricës dhe Tivatit, Spajiq deklaroi se Qeveria ka një bashkëpunim të mirë me Bankën Botërore dhe se shpreson që ai të vazhdojë edhe në të ardhmen.
“Së shpejti do të marrim raportin nga Komisioni i Tenderit së bashku me mendimin e IFC-së dhe shumë shpejt do të jemi të informuar për gjithçka”, u shpreh shkurtimisht kryeministri.
I pyetur nëse është i kënaqur me përgatitjen e sezonit turistik, duke marrë parasysh rrugët e papërfunduara, bllokadat dhe plazhet e papërgatitura, Spajiq tha se ka shprehur shpesh kritika ndaj kompanive që kryejnë punime gjatë sezonit.
“Në jug kemi një sezon ndërtimi gjatë gjithë vitit, dhe kjo duhet menaxhuar shumë më mirë. Jam shumë i pakënaqur me këtë situatë dhe kritikoj rregullisht kontraktorët. Veçanërisht për segmentin rrugor Jaz–Tivat, ku personalisht interesohëm shpesh dhe nuk jam i kënaqur me ritmin e punimeve”, deklaroi ai.
Në fund, Spajiq përsëriti se respekton të drejtën demokratike të qytetarëve për të protestuar, por u bëri thirrje që të kenë kujdes që veprimet e tyre të mos dëmtojnë industrinë e turizmit, nga e cila, sipas tij, varet mirëqenia e vendit.