Qeveria në detyrë e Kosovës ka vendosur që të ofrojë mbrojtje të përkohshme për 50 persona, në kuadër të bashkëpunimit me Shtetet e Bashkuara.
“Personat subjekt të këtij vendimi, gjatë kohës së qëndrimit në Republikën e Kosovës, do të veprojnë në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe do të gëzojnë të drejtat e përcaktuara me legjislacionin në fuqi”, njoftoi ekzekutivi në detyrë, pasi mbajti një mbledhje elektronike më 11 qershor.
Më herët gjatë së mërkurës, zëdhënësi i ekzekutivit në detyrë të Kosovës, Përparim Kryeziu, kishte konfirmuar për Radion Evropa e Lirë se Kosova kishte shprehur gatishmërinë për të bashkëpunuar me SHBA-në lidhur me pranimin dhe zhvendosjen e përkohshme të shtetasve të vendeve të treta në Kosovë, “në përputhje me kushtet e përcaktuara”.
“Përgjatë një periudhe njëvjeçare, deri në pesëdhjetë persona mund të zhvendosen përkohësisht, me qëllim të lehtësimit të kthimit të tyre të sigurt në vendin e prejardhjes. Qeveria ka shprehur gatishmërinë që të angazhohet, me mundësinë për të përzgjedhur individë nga një listë e propozuar, për aq sa ata i plotësojnë kriteret e caktuara lidhur me sundimin e ligjit dhe rendin publik”, deklaroi Kryeziu.
Departamenti amerikan i Shtetit (DASH) ka konfirmuar për REL-in më 6 qershor se vendet e rajonit të Ballkanit janë përfshirë në kontaktet brenda një strategjie më të gjerë amerikane për dëbimin e shtetasve të huaj pa status të rregulluar.
“Partnerët amerikanë dhe udhëheqësit rajonalë po punojnë ngushtë me ne për t’i dhënë fund krizës së migrimit të paligjshëm dhe masiv”, theksoi DASH-i, duke shtuar se zbatimi i politikës së migracionit të administratës së presidentit Trump, është një nga prioritetet kryesore të tij.
“Largimi nga SHBA-ja i të huajve, për të cilët ekzistojnë urdhra përfundimtarë për dëbim, si dhe dëbimi i imigrantëve të paligjshëm, i mbron Shtetet e Bashkuara nga terroristët e huaj dhe kërcënimet e tjera ndaj sigurisë kombëtare dhe rendit publik”, thuhet në përgjigje.
Nga DASH-i theksuan, gjithashtu, se bashkëpunimi i vazhdueshëm me qeveritë e huaja është kyç për parandalimin e migrimit të paligjshëm dhe masiv, si dhe për sigurinë kufitare.
Qeveria në detyrë e Kosovës tha se Shtetet e Bashkuara mbeten një aleat i palëkundur i Republikës së Kosovës.
“Partneriteti ynë i ndërsjellë, i ndërtuar ndër dekada, mbështetet në vlera të përbashkëta dhe bashkëpunim. E vlerësojmë lart mbështetjen e tyre, sidomos në rrugëtimin tonë drejt integrimit në institucionet euroatlantike”.