Foto: Kuvendi i Malit të Zi / Skupština Crne Gore
Në vijim të seancës pranverore të Kuvendit të Malit të Zi, deputetët diskutuan çështjen e koncesionit për aeroportet e vendit, me theks të veçantë mbi Aeroportin e Tivatit.
Në qendër të vëmendjes ishin deklaratat e zëvendëskryeministrit për Politikë Ekonomike, Nik Gjeloshaj, i cili tha se Qeveria ka ndarë 11 milionë euro për tokën në Tivat, por se nuk mund të zbulojë më shumë detaje, pasi procesi është ende në zhvillim.
“Për momentin nuk mund të përgjigjem në disa pyetje, për shkak se jam edhe kryetar i Komisionit të Tenderit dhe procedura është ende në vazhdim,” u shpreh Gjeloshaj.
Ai theksoi se ndryshimet në kushtet e tenderit janë bërë për të ulur rrezikun për shtetin, duke kërkuar pagesën e menjëhershme të tarifës koncesionare, në vend që ajo të shtyhej për një vit siç ishte planifikuar në fillim.
Deputeti i Inciativës Qytetare Kroate, Adrijan Vuksanoviq, kujtoi se edhe më parë ka qenë kundër dhënies me koncesion të aeroporteve dhe kërkoi sqarime nëse Qeveria ka ndarë fonde për kompensimin e pronarëve të tokës ku ndodhet aeroporti i Tivatit.
Kritikat më të forta erdhën nga deputeti i LQ URA, Filip Axhiq, i cili akuzoi Qeverinë se po ndjek të njëjtat praktika si partia e mëparshme në pushtet (PDS), por në një formë më të keqe.
Ai e quajti të dëmshëm procesin e koncesionit dhe shprehu dyshime për ndikime politike në vlerësimin e ofertave, duke e konsideruar këtë si një sinjal negativ për investitorët e ardhshëm.
Deputeti i SD-së, Branisllav Neneziq, ngriti shqetësimin për koston që mund të mbajë shteti në rast të përfundimit të marrëveshjes së koncesionit. “A ka planifikuar Qeveria në buxhet dhjetëra miliona euro për kompensimin e tokës në Tivat? A do të hyjë Mali i Zi në këtë projekt me një barrë të mundshme financiare prej rreth 50 milionë euro?”, pyeti ai, duke kërkuar më shumë transparencë për këtë çështje të rëndësishme për opinionin.