BIZNESET PROTESTOJNË KUNDËR LIBERALIZIMIT TË TREGUT TË ENERGJISË: KËRKOJNË PEZULLIMIN E VENDIMIT TË ZRRE-së

Përfaqësues të komunitetit të biznesit në Kosovë protestuan të mërkurën në Prishtinë kundër vendimit të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE) për liberalizimin e tregut të energjisë elektrike, që ka hyrë në fuqi më 1 qershor.

Me pankarta si “Mos na detyroni të rrisim çmimet”, “Mos na ndalni prodhimin”, dhe “Pa transparencë – nuk ka treg të lirë”, bizneset shprehën shqetësimet për pasojat që ky vendim mund të ketë për ekonominë e vendit.

Sipas vendimit të ZRRE-së, të gjitha kompanitë publike dhe private që kanë mbi 50 të punësuar ose një qarkullim vjetor mbi 10 milionë euro, janë të detyruara të furnizohen me energji në treg të hapur, me çmime që nuk rregullohen më nga shteti.

Ky vendim prek mbi 1.300 biznese private, të cilat tashmë janë pjesë e këtij tregu të liberalizuar.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, theksoi se procesi është zhvilluar pa transparencë dhe pa kushte të barabarta për konkurrencë.

Ai kërkoi pezullimin e menjëhershëm të vendimit brenda një afati prej 10 ditësh, duke paralajmëruar për pasoja serioze në ekonomi dhe në jetën e qytetarëve.

“Çdo ndërhyrje në çmimin e energjisë është ndërhyrje në standardin jetësor të qytetarëve të Kosovës. Kërkojmë një fazë tranzitore, përgatitje të tregut dhe një pako mbështetëse për bizneset”, u shpreh Rafuna.

Edhe Skënder Krasniqi nga Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë kritikoi vendimin, duke theksuar se ai mund të rrisë varësinë nga importi.

“Nëse rriten çmimet e energjisë, importi do të shumëfishohet dhe prodhuesit vendorë do të mbesin rrugëve”, tha ai.

Ndërkohë, kryetari i Aleancës Kosovare të Biznesit, Agim Shahini, paralajmëroi se nëse kërkesat e bizneseve nuk merren parasysh, protestat do të vazhdojnë.

Ai theksoi nevojën për mbështetje konkrete të sektorit privat, veçanërisht të industrisë prodhuese.

“Kjo industri duhet të ndihmohet, jo të shkatërrohet”, deklaroi Shahini.

Komuniteti i biznesit kërkon që liberalizimi të bëhet në mënyrë të planifikuar dhe të drejtë, duke siguruar një mjedis konkurrues dhe të qëndrueshëm për të gjithë aktorët në treg.

SHARE