Udhëheqësit financiarë të Grupit të Shtatë ekonomive të përparuara (G7) po diskutojnë mënyrat për të mbështetur Ukrainën dhe për t’i bërë presion Rusisë për t’i dhënë fund luftës, teksa u mblodhën sot për një samit në Japoni.
Ministri i Financave i Ukrainës, Serhiy Marchenko, ishte pjesëmarrës në këtë takim përmes një video-lidhjeje në sesionin e parë të bisedimeve të G7-ës në qytetin bregdetar Niigata.
Sekretarja e Thesarit e SHBA-së, Janet Yellen tha se vendet e G7-ës “do të qëndrojnë me Ukrainën për aq kohë sa duhet” për t’i dhënë fund luftës.
Udhëheqësit do të shqyrtojnë mënyra për të parandaluar Rusinë dhe vendet e tjera që të anashkalojnë sanksionet kundër Moskës për pushtimin e saj, u tha gazetarëve ministri japonez i financave Shunichi Suzuki.
Lufta dhe pasojat e saj në ekonominë globale, krizat e borxhit në vendet në zhvillim dhe ngërçi në Uashington mbi borxhin kombëtar janë në krye të agjendës së tre ditëve të bisedimeve nga ministrat e Financave dhe guvernatorët e bankave qendrore të vendeve të G7-ës.
Një gamë e gjerë temash, që nga ndryshmet klimatike e deri te lehtësimi i borxhit, pritet të shqyrtohen në këtë takim.
Duke folur përpara se të fillonin takimet me dyer të mbyllura, Yellen tha se një nga prioritetet e saj ishte të theksonte rëndësinë e zgjidhjes së krizës.