TË FORCOHET BASHKËPUNIMI I MBROJTJES MIDIS MALIT TË ZI DHE KOSOVËS

Shpresoj që në periudhën e ardhshme të krijohen kushtet për forcimin e bashkëpunimit të mbrojtjes ndërmjet Malit të Zi dhe Kosovës përmes pjesëmarrjes në projekte me interes të përbashkët, tha Ministrja e Mbrojtjes së Malit të Zi Olivera Injac gjatë takimit me Ministrin e Mbrojtjes të Republikës së Kosovës, Armend Mehaj. Injac përgëzoi homologun e saj kosovar për emërimin e tij të fundit si Ministër i Mbrojtjes së Kosovës, duke i uruar atij sukses në kryerjen e këtij funksioni të përgjegjshëm dhe të rëndësishëm. Mehaj falënderoi për organizimin e takimit dhe shprehu besimin se bashkëpunimi dypalësh midis Malit të Zi dhe Kosovës në fushën e mbrojtjes do të zhvillohet më tej gjatë mandatit të tij. Ai theksoi se Forca e Sigurisë së Kosovës mbetet e përkushtuar në forcimin e kapacitetit dhe aftësive të saj për të përmbushur standardet e NATO-s. Në këtë kontekst, ai shprehu besimin se përvoja e Malit të Zi në rrugën e anëtarësimit të plotë në Aleancë do të jetë e paçmueshme për Kosovën, e cila ndan të njëjtin qëllim të politikës së jashtme. Mehaj vlerësoi rezultatet e arritura nga Mali i Zi në rrugën drejt integrimit evropian, i cili dëshmon për angazhimin e Malit të Zi për promovimin e vlerave evropiane, si dhe ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Në fund të bisedës, bashkëbiseduesit shprehën dëshiren për t’u takuar personalisht në periudhën e ardhshme.

SHARE