MILLATOVIQ: DIPLOMACIA ËSHTË GJITHNJË E MË E RËNDËSISHME NË TEJKALIMIN E SFIDAVE AKTUALE GJEOPOLITIKE

Foto: predsjednik.me

Presidenti i Malit të Zi, Jakov Millatoviq, tha se në kohëra sfiduese diplomacia bëhet gjithnjë e më e rëndësishme dhe për këtë arsye në përpjekjet për zgjidhjen e problemeve aktuale është vendimtare që gjërat të shikohen nga pozita e palës tjetër, për të kuptuar plotësisht të gjitha rrethanat dhe vendimet që merren.

Millatoviq foli në një panel udhëheqës të titulluar “Kërkimi për partneritet në epokën e multipolarizimit”, të mbajtur në kuadër të Forumit Diplomatik të Antalia, ku mori pjesë me ftesë të Presidentit të Republikës së Turqisë, Recep Tayyip Erdogan.

Ai theksoi se kjo ngjarje është një mundësi për të diskutuar mbi aktivitetet diplomatike që lidhin Ballkanin dhe Turqinë, në një mënyrë që forcon më tej lidhjet tona.

Ai tha se Mali i Zi, si kandidati më i avancuar për anëtarësim në Bashkimin Evropian, ka synim real që të bëhet anëtari i ardhshëm deri në vitin 2028 dhe se anëtarësimi i vendit tonë mund të jetë shembull i një historie të suksesshme dhe nxitje për vendet e tjera kandidate.

Ai tha gjithashtu se në BE u bë e qartë se sa e rëndësishme është vazhdimi i procesit të zgjerimit, veçanërisht në kuadër të forcimit të sigurisë së kontinentit evropian.

Ai përkujtoi se bashkëpunimi rajonal është një nga qëllimet prioritare të vendit tonë dhe se është kyç për vendosjen e stabilitetit rajonal.

Në këtë kontekst, Millatoviq theksoi se Mali i Zi njihet si një vend që ka marrëdhënie të shkëlqyera me fqinjët.

Duke folur për prioritetet e politikës së jashtme të vendit tonë, Millatoviq theksoi se Mali i Zi është një anëtar i besueshëm i aleancës së NATO-s, gjë që është veçanërisht e rëndësishme në rrethanat aktuale gjeopolitike.

“Pjesëmarrësit e panelit vlerësuan arritjet e Malit të Zi në forcimin e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë, përmirësimin e bashkëpunimit rajonal dhe forcimin e lidhjeve të partneritetit me aktorë të rëndësishëm ndërkombëtarë”, thuhet në njoftim.

Forumi në Antalia mblodhi së bashku liderë të shumtë botërorë për të shkëmbyer mendime mbi mundësitë se si diplomacia mund të ndryshojë rrjedhën e ngjarjeve, me theks në zgjidhjet për përfundimin e konflikteve, strategjitë e ndërmjetësimit dhe mekanizmat e bashkëpunimit rajonal.

SHARE