Foto: AA
40 emigrantë të parregullt, që prisnin të dëboheshin nga Italia, kanë nisur të transferohen në qendrat e krijuara në Shqipëri, transmeton Anadolu.
Italia krijoi në Shqipëri dy qendra emigracioni dhe i vuri në funksion në tetor të vitit 2024, por ato nuk mundën të funksionojnë për shkak të vendimeve gjyqësore. Tani ato përgatiten të riaktivizohen me një qëllim pak më ndryshe.
Transferimi i grupit të parë të emigrantëve ka nisur mëngjesin e sotëm, në përputhje me dekret-ligjin e qeverisë italiane të 28 marsit, i cili parashikon që jo vetëm emigrantët e parregullt të shpëtuar në Mesdhe, por edhe emigrantët me vendim dëbimi të formës së prerë nga gjykata në Itali do të transferohen në qendrat në Shqipëri.
Sipas agjencisë italiane të lajmeve ANSA, anija patrulluese ‘Libra’ e marinës italiane është nisur mëngjesin e sotëm për të marrë 40 emigrantë të mbajtur në qendrën e riatdhesimit të emigracionit në qytetin italian Brindisi dhe për t’i transferuar ato në qendrat në Shqipëri.
– Qendrat e diskutueshme të emigrantëve të Italisë në Shqipëri
Marrëveshja e nënshkruar në Romë më 6 nëntor të vitit 2023 nga kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni dhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, parashikon transferimin në Shqipëri të emigrantëve të parregullt, meshkuj të rritur dhe të shëndetshëm, të shpëtuar nga forcat italiane në Mesdhe. Marrëveshja parashikon qëndrimin e tyre atje teksa shqyrtohen kërkesat e tyre për azil.
Kjo marrëveshje është e para që rregullon dërgimin e emigrantëve të parregullt nga një vend i BE-së në territorin e një shteti tjetër jashtë BE-së.
Në kuadër të marrëveshjes, Italia krijoi një qendër pritjeje të parë në portin e Shëngjinit në Shqipërinë veriperëndimore dhe një mjedis për procedurat e mëvonshme, si dhe një qendër riatdhesimi në rajonin e Gjadërit.
Tre grupe të ndryshme emigrantësh të shpëtuar në Mesdhe u transportuan në këto qendra në Shqipëri, por emigrantët e të tre grupeve u kthyen në Itali për shkak të vendimeve të ndryshme të arsyetuara të Gjykatës së Romës.
Qendrat e migracionit në Shqipëri, të cilat qeveria e kryeministres Meloni i paraqet si një “parandalues” ndaj migrimit të parregullt, janë kritikuar ashpër nga opozita dhe organizatat e shoqërisë civile, të cilat thonë se “po hedhin paratë e Italisë në rrugë”