GJEKA: MALI I ZI MBËSHTET FUQISHËM AGJENDËN EVROPIANE TË VENDEVE TË RAJONIT

Mali i Zi dhe Republika e Maqedonisë së Veriut vazhdojnë të mbështesin njëri-tjetrin në shumë fusha të interesit, veçanërisht në procesin e integrimeve evropiane, u theksua në takimin e ministrit për të Drejtat e Njeriut dhe të Pakicave Fatmir Gjeka me ambasadorin e Republikës së Maqedonisë së Veriut Zeqir Ramçilloviq. Ministri Gjeka i tha ambasadorit të sapoemëruar se Mali i Zi mbështet fuqishëm agjendën evropiane të vendeve të rajonit dhe do t’i ofrojë të gjithë asistencën eksperte dhe teknike Maqedonisë së Veriut në rrugën e saj integruese. “Procesi i integrimit evropian konsiderohet si platforma më e mirë aktuale për shkëmbimin e mendimeve dhe përvojave me qëllim të përmirësimit të mundësive ekzistuese për të dyja vendet”, vlerëson Gjeka. Ramçilloviq, siç u theksua, falënderoi për pritjen dhe shtoi se ishte veçanërisht i kënaqur që mori një mandat në Malin e Zi, “një vend mik, i afërt që ka përvojë të pasur në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian”.

SHARE