Një nga vlerësimet kryesore të draft-raportit të përgatitur nga raportuesi për Kosovën në Parlamentin Evropian, Riho Terras, është se viti 2025 ishte një vit i humbur për Kosovën.
“Në përgjithësi, 2025 duhet të konsiderohet vit i humbur për Kosovën, pasi për shkak të zgjedhjeve të rregullta në shkurt, as trupi legjislativ as qeveria nuk erdhën në funksion. Edhe pse tri palë zgjedhjet që u zhvilluan më 2025, dy parlamentare dhe një lokale, u zhvilluan të gjitha në mënyrë paqësore, procesi normal politik u ndërpre thellësisht”, thotë Riho Terras.
Ndër të tjera, raporti përsërit rëndësinë e angazhimit konstruktiv nga ana e autoriteteve të Kosovës dhe Serbisë në mënyrë që të arrihet një marrëveshje gjithëpërfshirëse mes Prishtines dhe Beogradit.
“Dialogu me Serbinë pothuajse u ndal gjatë vitit 2025, pjesërisht për shkak të paqëndrueshmërisë politike dhe mungesës së një qeverie plotësisht funksionale”, thotë Riho Terras.
Ne dokument thuhet se Parlamenti Evropian mbështet procesin e integrimit të Kosovës në Bashkimin Europian.
“Parlamenti Evropian riafirmon mbështetjen për rrugën e Kosovës drejt integrimit dhe u bën thirrje pesë vendeve anëtare që ende nuk e kanë njohur Kosovën ta bëjnë këtë”, thotë Riho Terras.
Raporti kërkon gjithashtu përshpejtimin e reformave në sundimin e ligjit, luftën kundër korrupsionit, funksionimin e administratës dhe lirinë e mediave.









