PARLAMENTI EVROPIAN MIRATON STRATEGJINË E ZGJERIMIT TË BE-së

Deputetët e Parlamentit Evropian miratuan sot Strategjinë për zgjerimin e Bashkimit Evropian (BE), duke theksuar se zgjerimi është një përgjigje strategjike ndaj realitetit gjeopolitik në ndryshim dhe një investim jetik për sigurinë dhe stabilitetin e BE-së.

Sipas dokumentit të miratuar, kostoja e moszgjerimit tejkalon atë të pranimit të vendeve të reja, duke rrezikuar krijimin e “zonave gri” gjeopolitike të ndikuara nga faktorë të jashtëm.

Për këtë raport votuan 385 deputetë, 147 ishin kundër, ndërsa 98 abstenuan.

Autor i dokumentit, deputeti Petras Aushtreviçius, theksoi nevojën për reforma të brendshme në BE për të përmirësuar proceset e vendimmarrjes dhe integrimin e vendeve kandidate.

Dokumenti përmend se Mali i Zi dhe Shqipëria kanë vendosur objektiva ambicioze për përfundimin e negociatave deri në fund të 2026 dhe 2027, ndërsa theksohet nevoja për mbështetje dhe heqjen e barrierave nga BE-ja.

Po ashtu, nxitet hapja e shpejtë të klasterëve negociuese me Ukrainën dhe Moldavinë. Strategjia thekson se anëtarësimi në BE duhet të mbetet i bazuar mbi merita, procesi është i kthyeshëm, dhe asnjë vend nuk mund të trajtohet si “paketë”.

Prioritet mbetet sundimi i ligjit, reformat demokratike, liria e medias, të drejtat e pakicave, pavarësia e gjyqësorit dhe lufta kundër korrupsionit, si dhe mbështetja e qëndrueshme për shoqërinë civile.

Po ashtu, dokumenti thekson rëndësinë e harmonizimit me politikën e përbashkët të jashtme dhe sigurisë të BE-së si tregues i orientimit gjeostrategjik të vendeve kandidate.

Deputetët shprehin shqetësim për regresin demokratik në vendet me më pak përputhje me politikën e përbashkët të BE-së dhe ku procesi i anëtarësimit ka ngecur.

Para votimit, komisionerja evropiane Marta Kos theksoi se BE nuk do të lejojë anëtarësimin e vendeve që mund të minojnë fshehurazi vlerat dhe institucionet e saj.

“Nuk ka kalime të shkurtra. Vendet që do të na dëmtojnë nga brenda nuk mund të bëhen pjesë e BE-së. Anëtarët e rinj duhet të jenë demokraci të forta dhe rezistente ndaj ndikimit toksik të Rusisë dhe të tjerëve,” tha Kos.

SHARE