Foto: KODEX.ME
Në redaksinë e TV Boin ka mbërritur një komunikatë për media nga Gjenerata e parë e Gjimnazit „25 Maj“ në Tuz, në lidhje me kërkesën e tyre për ndryshimin e emrit të shkollës.
Komunikatën e lexojmë në tërësi:
Ne, Gjenerata e parë e Gjimnazit “25 Maji” në Tuz informojmë opinionin publik lidhur me kërkesën tonë të parashtruar ndaj këtij institucioni arsimor para disa kohe, si dhe trajtimit të kësaj kërkese nga drejtori aktual i këtij institucioni arsimor. Me rastin e shënimit të 50-vjetorit të gjeneratës së parë të kësaj shkolle, më 24 maj vitit 2025, ia dorëzuam drejtorit të shkollës një kërkesë zyrtare për ndryshimin e emrit të tanishëm të këtij institucioni në emrin “Besëlidhja e Malësisë”. Kjo kërkesë u shqyrtua nga Këshilli i Shkollës, organi kompetent sipas ligjit, dhe u miratua unanimisht. Sipas procedurave ligjore, kërkesa duhej t’i përcjellej Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Inovacionit në Podgoricë për vendimmarrje përfundimtare.
Pavarsisht kësaj, drejtori i gjimnazit z. Sehad Lulanaj, ka refuzuar në mënyrë të pajustifikuar dhe pa asnjë bazë ligjore t’a përcjellë kërkesën tonë në institucionin kompetent. Ky refuzim përbën tejkalim të kompetenvcave zyrtare, pasi drejtori nuk ka të drejtë ligjore të mos i procedojë kërkesat dhe vendimet zyrtare, ka detyrim procedural.
Kjo sjellje përbën shkelje të parimeve të transparencës, përgjegjësisë dhe administrimit zyrtar të mirëfillt. Ky rast nuk është thjeshtë një mosmarrëveshtje formale, por nji precedent i papërfilltë ku një individ bllokon vullnetin e një grupi kolegjial dhe pengon funkcionimin normal të procedurave që parashikohen me ligj. Në një shoqëri demokratike dhe në një shtet që pretendon integrimin evropian, veprimet e tilla janë të papranueshme. Ne, për të realizuar këtë të drejtë elementare nuk u ndalëm para vullnetit të drejtorit, por, grupi ynë prej 4 antarësh, i autorizuar nga gjenrata, për këtë parregullsi njoftoi disa nga përfaqësuesit tanë legjitim në pushtet, z. Nikollë Camaj, nënkryetar i Kuvendit të Malit të Zi dhe z. Nikë Gjeloshaj, zëvendëskryeministër në Qeverin e Malit të Zi.
Përpos fjalëve të mira dhe premtimeve se do të merren me këtë çështje që kërkesa jonë të adresohet në institucionin e duhur, sa jemi ne në dijeni, nuk ndërmuarën asnjë veprim konkrete. Me sa duket, më shumë të angazhuar në foto-momente dhe promovime personale sesa në zgjedhjen e kësaj çështjeje madhore dhe të disa tjerave problemeve reale të qytetarëve të Malësisë. Më në fund, për këtë çështje iu drejtuam edhe Këshillit Nacional të Shqiptarëve në Mal të Zi z. Faik Nika, kryetar, nga i cili morëm premtim se do ta paraqesë rastin në mbledhjen e parë të Këshillit Kombëtar, por deri më tani nuk ka ndodhur. Gjenerata e parë e Gjimnazit “25 Maji” kërkon reagim të menjëhershëm nga pushteti lokal, nga Kuvendi Komunal i Tuzit dhe nga organet mbikqyrëse të arsimit. Kërkojmë që kjo çështje të përfshihet sa më parë në rendin e ditës në Kuvendit Komunal të Tuzit dhe të merren masa konkrete në lidhje me këtë çështje. Nëse kjo situatë vazhdon të injorohet, jemi të vendosur të mos ndalemi por të përdorim të gjitha mjetet juridike dhe institucionale, përfshirë procedurat administrative, ankesat pranë organeve kompetente dhe adresimin e çeshtjes në instancat më të larta vendore dhe ndërkombëtare. Askush nuk ka të drejtë të mos e procedojë kërkesën tonë dhe të mbajë peng vullnetin dhe iniciativën legjitime të nji grupi qytetarësh, të cilët, me të drejtë të plotë, kërkojnë identifikimin kombëtar të këtij institucioni arsimor. Si përfundim, ne nuk po kërkojmë asgjë më shumë sesa atë që shoqëria malazeze e ka rregulluar moti në mjediset e veta.
Me respekt,
Gjenerata e parë e Gjimmazit “25 Maji” në Tuz










