Foto: Kuvendi i Malit të Zi / Skupština Crne Gore
Gjatë seancës së Kuvendit të Malit të Zi, deputetët e opozitës kritikuan qeverinë për vendosjen e ligjeve në rendin e ditës pa u përmbushur afatet e nevojshme ligjore dhe për, siç thanë ata, qasje selektive ndaj integrimeve evropiane.
Deputeti i Socialdemokratëve, Boris Mugosha, theksoi se po shkelet neni 85 i rregullores së Kuvendit, pasi ligjet nuk kanë kaluar periudhën ligjore në procedurë.
Ai kritikoi gjithashtu qeverinë për përpjekje për të paraqitur integrimet evropiane si prioritet partiak, duke mos respektuar procedurat e rregullta.
Deputetja e PDS, Aleksandra Vukoviq Kuç, tha se Kuvendi po përjeton një “rrënim sistematik” dhe se seancat nuk fillojnë në kohë, ndërsa qeveria nuk respekton dialogun me opozitën.
Nga ana tjetër, deputeti i Lëvizjes „Evropa Tani“, Vasilije Çarapiq, mohoi shkeljet, duke thënë se ligjet me “flamurin blu” ishin dorëzuar në procedurë më 26 shkurt dhe se procesi ishte i rregullt.
Ai akuzoi opozitën se po përdor çështjen e procedurave si justifikim për të goditur partinë e tij dhe se synimi është të “shpëtohen radhët e Gjukanoviqit”.
Deputeti i PDS, Andrija Nikoliq, kërkoi respektimin strikt të rregullores, duke theksuar se ligjet duhet të qëndrojnë 15 ditë në procedurë, ose shtatë ditë në rast të procedurës së përshpejtuar, për t’u shqyrtuar në mënyrë transparente.
Debati u tensionua më tej me akuza për politikanizim dhe sulme ndaj opozitës.










