ÇAPUNI: NJË VIT NGA MARRËVESHJA PËR PLAZHET E ULQINIT, VENDIMI I GJYKATËS KUSHTETUESE PRITET SË SHPEJTI

Foto: Komuna e Ulqinit

Deputeti në Kuvendin e Malit të Zi, Ilir Çapuni, rikujton më 11 mars një vit nga momenti kur kompania e lidhur me investitorin Mohamed Alabbar fitoi shumicën e plazheve në Plazhin e Madh të Ulqinit.

Ai thekson se ky ishte fillimi i një procesi më të gjerë, që u zhvillua pas shpinës së publikut, përmes një marrëveshjeje ndërshtetërore për zhvillimin e patundshmërive dhe turizmit me Emiratet e Bashkuara Arabe.

Ky zhvillim shkaktoi reagim të fortë në Ulqin dhe mobilizim të qytetarëve në mbarë Malin e Zi, duke krijuar një unitet dhe solidaritet të gjerë kundër projektit. Rezistenca ndaj tij u zhvillua përmes mekanizmave demokratikë dhe institucionalë, edhe pse shpesh politikisht e vështirë dhe e pabarabartë.

Aktualisht, para Gjykatës Kushtetuese të Malit të Zi po shqyrtohet kushtetutshmëria e Ligjit për Ratifikimin e Marrëveshjes për Bashkëpunim në Fushën e Turizmit dhe Zhvillimit të Patundshmërive mes Malit të Zi dhe Emirateve të Bashkuara Arabe, dhe pritet që vendimi përfundimtar të jepet në ditët në vijim.

Çapuni thekson se, edhe pse ligji u miratua pa debat publik, qytetarët dhe deputetët u informuan për mangësitë e tij serioze përmes protestave, mediave dhe seancave parlamentare.

Ai shton se marrëveshja ka mangësi formale dhe procedurale, është në kundërshtim me Konventën e Aarhusit dhe nuk ka marrë parasysh vendimet e Kuvendit të Komunës së Ulqinit, duke konfirmuar një interes publik të paqartë për ndërtimin e banesave dhe zhvillimin e turizmit në zona të përzgjedhura nga një palë e tretë.

Deputeti thekson se vendimi i Gjykatës Kushtetuese nuk shpall fitues apo humbës, por është një shenjë e drejtësisë institucionale në favor të qytetarëve, duke treguar forcën dhe pjekurinë e institucioneve dhe kulturës politike evropiane.

Ai nënvizon se Ulqini nuk është kundër investimeve dhe bashkëpunimit me Emiratet e Bashkuara Arabe, por qytetarët dhe trashëgimia e qytetit kanë përparësi: “Nuk ekziston asnjë investitor apo shtet të cilit mund t’i japim më shumë sesa i detyrohemi Malit të Zi dhe Ulqinit, këtyre xhevahireve që ua kemi borxh brezave tanë.”

Çapuni shpreson që vendimi i Gjykatës të kontribuojë në uljen e tensioneve, forcimin e institucioneve dhe hapjen e mundësive për zhvillim në interes të qytetarëve, jo në dëm të trashëgimisë natyrore dhe shoqërore.

Ai kujton se gjatë vitit të kaluar, për shkak të protestave dhe shqetësimeve të qytetarëve, ulqinakët nuk festuan Ramazanin, Bajramin, Pashkët katolike dhe ortodokse, ndërsa aktivitetet për Ditën e Ulqinit u anuluan përveç programeve për fëmijë, që mbetën simbol i zhvillimit të brezave të ardhshëm.

Çapuni përfundon kumtesën e tij duke shprehur pritshmërinë se këtë vit, vendimi i Gjykatës do të sjellë drejtësi institucionale dhe do të mbrojë interesin e qytetarëve dhe brezave të ardhshëm.

SHARE