OSMANI: ANËTARËSIMI I KOSOVËS NË NATO–DOMOSDOSHMËRI STRATEGJIKE PËR PAQEN

Foto: Erkin Keçi/AA

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e cila e ka pritur për herë të parë në vizitë zyrtare në Kosovë sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, ka deklaruar se anëtarësimi i Kosovës në NATO është domosdoshmëri strategjike për paqen në rajon dhe gjithë kontinentin evropian.

Në konferencën për media pas takimit me Rutten, Osmani tha se së bashku me NATO-n përgjatë 25 vjetëve të lirisë së Kosovës, vendi është shndërruar në shembull suksesi dhe demokraci kontribuese. Ajo tha se NATO-ja është themeluar mbi vlerat mbi të cilat qëndron vet shteti i Kosovës.

“Prandaj, edhe synimi ynë strategjik për anëtarësimin në NATO nuk është thjeshtë një interes shtetëror i yni, por edhe një domosdoshmëri strategjike për paqen në rajon dhe gjithë kontinentin evropian. Siç e thatë me të drejtë ju dje në Bosnjë dhe Hercegovinë, është e rëndësishme që ky rajon të mos ketë vakume të sigurisë, sepse siç ka dëshmuar historia, shpeshherë ato vakume janë keqpërdorur nga faktorë malinj, të cilëve nuk ju intereson paqja dhe siguria, por vetëm kaosi dhe jo-stabiliteti”, theksoi Osmani.

Presidentja kosovare tha se Serbia po vazhdon të minojë përpjekjet për paqe dhe se ajo po synon të destabilizojë jo vetëm Kosovën, por gjithë rajonin.

Dëshmi për këtë rrezik, theksoi Osmani, janë sulmet e viteve të fundit në veri të Kosovës dhe sulmet e trupave të NATO-s në maj të vitit 2023 të organizuara nga strukturat serbe.

“Prania e trupave të NATO-s në Kosovë nuk është vetëm garanci për sigurinë tonë, por edhe një barrierë kundër çfarëdolloj përpjekjeje për cenimin e paqes dhe stabilitetit për të cilin të gjithë së bashku kemi punuar dhe sakrifikuar shumë gjatë”, theksoi Osmani.

Osmani tha se i bashkohet thirrjeve të përsëritura të NATO-s dhe Bashkimit Evropian (BE) për përgjegjësi sa i përket sulmit ndaj pjesëtarëve të KFOR-it në maj të vitit 2023 dhe sulmeve të tjera në veri të Kosovës, ku struktura të mbështetura nga Serbia lanë 93 ushtarë të NATO-s të plagosur.

Presidentja Osmani përmendi edhe presidentin amerikan Donald Trump, duke cituar atë se “politika e paqes nëpërmejt fuqisë” është ajo që do të kuptohet më së miri në këtë rajon.

SHARE