SHEFI I NATO-s: UKRAINA KA NEVOJË PËR ARMË, JO PËR FLAMUJ TË BARDHË

Shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg, u shpreh kundër komenteve të Papa Françeskut i cili tha se Ukraina duhet të ketë “guximin e flamurit të bardhë” derisa sugjeroi se Kievi duhet t’i hapë bisedimet me Moskën për një fund të luftës së shkaktuar nga pushtimi rus.

I pyetur në lidhje me këto komente, Stoltenberg i tha Reuters se “nëse duam një zgjidhje të qëndrueshme paqësore të negociuar, mënyra për të arritur atje është të ofrojmë mbështetje ushtarake për Ukrainën”.

“Nuk është koha për të folur për dorëzim nga ukrainasit. Kjo do të ishte një tragjedi për ukrainasit. Do të ishte gjithashtu e rrezikshme për të gjithë ne”, tha Stoltenberg në një intervistë në selinë e NATO-s në Bruksel, pasi u pyet nëse reagimi i tij do të thoshte se tani nuk është koha për të folur për një flamur të bardhë.

Jens Stoltenberg gjithashtu u distancua të hënën nga deklarata e presidentit francez, Emmanuel Macron, se aleatët perëndimorë nuk duhet të përjashtojnë vendosjen e trupave në Ukrainë.

“NATO nuk ka plane të dërgojë trupa në Ukrainë dhe NATO nuk është palë në konflikt”, tha Stoltenberg.

Stoltenberg tha se edhe nëse vende individuale të NATO-s dërgojnë trupa në Ukrainë, kjo do të ndikonte në aleancën në tërësi pasi anëtarët e saj janë të detyruar nga një pakt i mbrojtjes kolektive.

“Unë mendoj se është e rëndësishme që të konsultohemi dhe të kemi një qasje të përbashkët për këto tema të rëndësishme sepse ato kanë rëndësi për të gjithë ne”, shtoi ai.

SHARE