MAQEDONIA E VERIUT NDALON EKSPORTIN E DISA MALLRAVE USHQIMORE

Maqedonia e Veriut ka vendosur të ndalojë për dhjetë ditë eksportin e mallrave të caktuara ushqimore. Vendimi i Qeverisë maqedonase përfshin eksportin e grurit, elbit, misrit, miellit, farave të lulediellit, si dhe vajrave. “Qëllimi i kësaj mase është mbrojtja e tregut vendor dhe më e rëndësishmja, mbrojtja e qytetarëve në kohë krize. Qytetarët duhet ta dinë se Qeveria është plotësisht e përkushtuar që të ulen pasojat negative të tendencave negative të ekonomisë botërore. Ju bëj thirrje të gjithë faktorëve të ekonomisë se tani është koha për mirëkuptim dhe të kontribuojmë bashkërisht në uljen e pasojave negative të kësaj krize globale”, deklaroi ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi. Jozyrtarisht vendimi ndërlidhet me njoftimet se sasi të mëdha të grurit janë eksportuar në Greqi, ndërsa në Kosovë sasi të mëdha të vajit vendor, të llojit Briliant. Çmimi i vajit në Maqedoninë e Veriut arrin në 1.80 euro. “Duhet të kemi parasysh se në kohë si kjo në të cilën ndodhemi, tregtarë të caktuar po tentojnë të bëjnë përfitime të mëdha. Të dhënat që kemi siguruar nga drejtoria e Doganave flasin se vetëm në dhjetë ditët e fundit, është eksportuar vaj në një sasi prej 416 tonësh, misër rreth 700 tonë, miell 166 tonë, si dhe sasi të mëdha të llojeve tjera të miellit”, ka deklaruar ministri Bekteshi. Nga Qeveria kanë thënë se vendimi për kufizimin e eksportit është marrë edhe si përgjigje reciproke ndaj masave të ngjashme të marra nga disa vende të rajonit.

SHARE