Roli i intelektualit nuk është të konsolidojë autoritetin, por ta kuptojë, interpretojë dhe vërë në dyshim atë. (Edward Said)
Shkrimi i Mentor Llunjit Dy tregime parazgjedhore më dha yrnekun për trajtim të disa tematikave ndërlidhëse me kohën tonë dhe të përbotshme nga Edward Saidi dhe Xhejms Xhojsi.
Dy tregime parazgjedhore ka në vete damarin xhojsian ku sfidohet fryma konformiste e mjedisit dhe përqeshet banaliteti i përditshëm socio-politik. Po ashtu, në frymën ‘e artistit në rini’, kërkon farkëtimin e një mendësie të re dhe tregon në mënyrë bindëse se feminizmi, pikësëpari, është çështje mashkullore. Në mjediset patriarkalo-provinciale vetëdijësimi për feminizëm te meshkujt është rrugë për ta tejkaluar, në mënyrë të thelluar, jo deklarativo-dekorative, barrierën për pjesëmarrjen femërore në listat zgjedhore (në proceset e vendimmarrjes dhe politikëbërjes). Diç që e konfirmon shkrimi i Xhelal Hoxhës, ku përmend rolin e femrave shqiptare në përparimin e vendit në të kaluarën.
Portreti i artistit në rini i Xhojsit është romani i parë në gjuhën angleze në të cilin pasioni për të menduarit është paraqitur plotësisht. Për të riun, Stefan Dedalusin, kryeprotagonistin, alter-egon e Xhojsit, “të menduarit është një mënyrë për të përjetuar botën”.
Pjesërisht për shkak se Stefani ekziston në mendësi provinciale, produkt i një mjedisi kolonial, ai duhet të zhvillojë një ndërgjegje intelektuale rezistente përpara se të mund të bëhet artist. Në fjalimin më të famshëm të romanit, Stefani shpreh atë që është në fakt kredo e lirisë së intelektualit: “Unë do t’ju them se çfarë do të bëj dhe çfarë nuk do bëj. Unë nuk do t’i shërbej asaj në të cilën nuk besoj më, qoftë shtëpia ime, atdheu im apo kisha ime: do të përpiqem të shprehem në një mënyrë artistike sa më të lirë dhe të plotë.”
Tek Uliksi, ne e shohim Stefanin (pra, Stefan Dedalusi është protagonist në dy novelat e Xhojsit) si një të ri kokëfortë dhe jokonformues. Më e fuqishme në kredon e tij është pohimi i tij për lirinë intelektuale. Qëllimi i veprimtarisë së intelektualit është të avancojë lirinë dhe dijen njerëzore. Kjo është ende e vërtetë, pavarësisht qëndrimeve të stërpërsëritura se temat e mëdha të emancipimit dhe iluminizmit nuk kanë më asnjë peshë në epokën e post-modernizmit.
Xhojsi është mishërim i antikonformizmit – Dedalusi paraqet rast ekstrem, sigurisht, por i shërben qëllimit, për të na treguar intelektualët në veprim, të mbushur me vështirësi dhe tundime të shumta, qoftë duke e ruajtur apo duke e tradhtuar thirrjen e tyre, jo si një detyrë fikse për t’u mësuar njëherë e përgjithmonë nga një fensi ‘si-ta-bësh manual’, por si një përvojë konkrete e kërcënuar vazhdimisht nga jeta moderne. Kjo përkon me apelin e Mentorit dhe të tjerëve që u mbështetën në të, që qasja (vetë)kritike të jetë më e përfaqësuar se, pa dyshim, do t’u ndihmojë më së shumti subjekteve politike në garë. Rritja e vetëdijes kritike dhe integritetit intelektual është kredo dhe ideal për të cilin duhet angazhuar. Këto janë vlerat, mes tjerash, që na ka lënë trashëgimia letrare dhe intelektuale e Xhojsit.
Për t’i dhënë shpirtit të kohës trazimin e saj të brendshëm, Xhojsi zbërtheu individin e sotëm, duke vendosur në Uliks dy protagonistë – njërin që don të ngritet mbi konformizmin dhe atmosferën mediokre, dhe tjetrin të zhytur në të. Me referim te Servantesi, që e lidh në mënyrë metafizike Ulqinin me Dublinin, Uliksi paraqet simbolikisht një ditë të Don Kishotit dhe Sanço Panços, duke regjistruar proceset e ndërdijes së tyre në letër.
Ngjashmëria me Odisenë e Homeritshërben vetëm për të vënë në dukje se në jetën moderne asgjë nuk është si në një ep heroik: nuk ka heroizëm, nuk ka madhështi, nuk ka vepra të mëdha.Gjithçka është thjesht gri, kohëzgjatje banale, përsëritje e përditshme e një mase veprimesh të vogla për të ruajtur ekzistencën dhe për të kënaqur nevojat biologjike. Shkrimtari i shikon të gjitha ngjarjet publike, të gjitha ngjarjet në superstrukturën shoqërore me ironi cinike, si shfaqje të zbrazëta dhe të rreme pas të cilave nuk ka asgjë konkrete.
Tërë veprimtaria e Xhojsit është e shënuar me mërgim nga paraliza intelektuale e politiko-shoqërore e vendit të tij. Ai iku nga vendi i vet që e donte dhe e urrente njëkohësisht për të farkuar një vetëdije më të mirë për të.
Konformizmi te ne nuk është devijim por standard i thelluar në komunitet. I ka rrënjët e forta historike dhe tani me dominimin e shoqërisë së spektaklit në plan global e lokal, nevoja për rezistencë është aq më e madhe. Si dhe më e vështirë për shkak të rritjes të analfabetizmit fuksional. Si shtesë e shpjegimit të procesit të përpilimit të listave zgjedhore, ato janë garanci se do të ketë ndërrime e jo ndryshime. Ato paraqesin sentimentin e plotë të shprehjes out of place të Edward Saidit.
Rezistenca që me shembullin e vet dha Edward Said në plan global është frymëzuese dhe shumë lehtë në veprimtarinë e tij intelektuale mund të gjejmë ushqim shpirtëror.
Mendoj se gjëja më e rëndësishme për intelektualin në sferën publike, përtej kufijve të akademisë, është një lloj ndjesie pavarësie, që ju po flisni vërtet me zërin tuaj dhe me ndjenjën tuaj të bindjes dhe që të përpiqeni në njëfarë mënyre të mos bashkëpunoni me fuqitë centralizuese të shoqërisë sonë. (Said).
Edward Said ka treguar se në mes të asaj nga titulli i Fromit Të kesh apo të jesh, ka përzgjedhur të jetë.
Angazhimi i tij është jashtëzakonisht i rëndësishëm, sepse ai nuk pranon të brumoset në përcaktime deklarative, por përkundrazi mbron të drejtat e minoriteteve dhe të margjinalizuarve, ose më e rëndësishmja, reagon në emër të të drejtave të tyre. Mirëpo Saidi nuk e bën nga distanca intelektuale, siç ndodh shpesh, por drejtpërdrejt, duke protestuar, duke bartur parullat e tyre, ashtu siç barten vetëm vlerat e vërteta – me gjithë qenien e tij.
Ai ndjek filozofinë e kritikës së përhershme të botës që e rrethon dhe luftën për një njeri krijues e të çliruar. Kjo e bën atë ndjekës të lirisë.
Virtyti i Said-it është se ai nuk jetoi për veten e tij, por inkorporoi një pjesë të humanizmit të tij te të tjerët.
Nuk bëhet fjalë aspak për të qenë optimist, por për të vazhduar të kesh besim në procesin e vazhdueshëm dhe fjalë për fjalë të pafund të emancipimit dhe ndriçimit që, për mendimin tim, i jep drejtim vokacionit intelektual.
Ideja ime është të përdor kritikën humaniste për të hapur fushat e rezistencës, për të futur një sekuencë më të gjatë mendimi dhe analize për të zëvendësuar shpërthimet e shkurtra të furisë polemike, që ndalon mendimin, që na burgosin me etiketime dhe debate antagoniste, qëllimi i të cilit është një identitet kolektiv luftarak dhe jo mirëkuptim dhe shkëmbim intelektual. (Said)
Duke marrë parasysh lehtësinë e papërballueshme të dhënies së premtimeve dhe fjalimeve të mëdha me konotacione epike gjatë fushatave, le të kujtojmë fjalët e Xhojsit: Kam frikë prej fjalëve të mëdha të cilat të gjithëve na bëjnë kaq të dëshpëruarapo të shkrimtarit amerikan Rejmond Karver: Pa fjalë të mëdha, ju lutem!