BAERBOCK: KOSOVA E KA PËRFUNDUAR PUNËN E LIBERALIZIMIT TË VIZAVE

“Kosova e ka kryer punën e saj sa i përket procesit të liberalizimit të vizave dhe tani i mbetet Bashkimit Evropian ta bëjë të njëjtën gjë”, ka deklaruar ministrja e Jashtme e Gjermanisë, Annalena Baerbock, gjatë një konference të përbashkët me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, të enjten mbrëma. “Për ne nuk është më në pikëpyetje dhe na duhet liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës. Për këtë jemi duke punuar me tërë forcën tonë”, tha ajo. Baerbock, po ashtu, tha se BE-ja është duke ua zgjatur dorën shteteve të rajonit në rrugën drejt bllokut evropian. “Një ndër çështjet më të rëndësishme për këtë është forcimi i besimit në rajon. Para së gjithash nevojiten përparime në procesin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë. Këto dy shtete duhet të gjejnë një zgjidhje për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare dhe atyre presidenciale të Serbisë, më 3 prill”, shtoi ajo. Baerbock e ka siguruar kryeministrin Kurti se Gjermania do të vazhdojë ta mbështesë Kosovën në projekte zhvillimore edhe në të ardhmen. Ai kërkoi përkrahjen e Gjermanisë dhe të BE-së. “Kam kërkuar mbështetje për reformat në punësim dhe drejtësi. Kosova duhet të përfitojë më shumë nga fondet e BE-së, në infrastrukturë, energji e të tjera. Gjermania mund të ndihmojë më shumë në këtë drejtim”, tha Kurti.

SHARE