Foto: MPB
Zëvendësudhëheqësi i delegacionit të Bashkimit Evropian (BE), Rikardo Seri, tha se përmbushja e kritereve përfundimtare për Kapitullin 24 është tani e domosdoshme.
Takimi i pesëmbëdhjetë i Nënkomitetit për Drejtësi, Liri dhe Siguri u zhvillua sot në Podgoricë, si pjesë e dialogut të vazhdueshëm mes Malit të Zi dhe BE-së mbi proceset kyçe reformuese në fushën e sundimit të ligjit.
Seri theksoi rëndësinë e progresit të mëtejshëm në përmbushjen e kritereve përfundimtare, veçanërisht në rezultatet konkrete të zbatimit të reformave.
“Përmbushja e kritereve përfundimtare të Kapitullit 24 tani është thelbësore. Më e rëndësishmja është një bilanc i besueshëm dhe i vazhdueshëm i rezultateve në zbatim, veçanërisht në luftën kundër krimit të rëndë dhe të organizuar, sepse progresi në fushën e sundimit të ligjit do të përcaktojë dinamizmin e anëtarësimit të Malit të Zi në Bashkimin Evropian. Mali i Zi gjithashtu duhet të bëjë përparim të mëtejshëm në harmonizimin e politikës së vizave, në përputhje me kërkesat e njërit prej kritereve përfundimtare të Kapitullit 24”, deklaroi Seri.
Takimi konfirmoi edhe njëherë përkushtimin e Malit të Zi për forcimin e kapaciteteve institucionale, përmirësimin e sistemit të sigurisë dhe zbatimin e reformave që çojnë drejt përputhshmërisë së plotë me standardet evropiane, me një qëllim strategjik të qartë, që Mali i Zi të bëhet anëtar i plotë i BE-së në vitin 2028.









