KOPMAN: MIRATIMI I LEGJISLACIONIT TË BE-së ME SHUMICË TË MADHE TREGON KONSENSUS NDËRPARTIAK PËR INTEGRIMIN EVROPIAN

Foto: Kuvendi i Malit të Zi / Skupština Crne Gore

Drejtori i Përgjithshëm i Drejtorisë së Përgjithshme për Fqinjësinë dhe Negociatat për Zgjerim, Gert Jan Kopman, tha se e gëzon fakti që legjislacioni i Bashkimit Evropian (BE) po miratohet me shumicë të madhe, çka tregon, sipas tij, se ekziston një konsensus ndërpartiak kur bëhet fjalë për integrimin evropian si një prioritet kombëtar.

Kryetari i Kuvendit të Malit të Zi, Andrija Mandiq, gjatë takimit me Kopmanin, theksoi se Parlamenti ka arritur rezultate historike gjatë këtij legjislativi, duke miratuar pothuajse 400 ligje, nga të cilat afërsisht 170 janë shënuar me “flamurin blu”, që do të thotë se janë kyçe për procesin e integrimeve evropiane.

Ai theksoi se Parlamenti do të punojë me përgjegjësi dhe përkushtim gjatë vitit 2026, i cili është përcaktuar si kyç për anëtarësimin e vendit në BE, dhe se Kuvendi do të jetë në mbledhje të vazhdueshme deri në fund të vitit për të realizuar të gjitha objektivat e paracaktuara.

“Ne kemi dëshmuar se me mjaft hapësirë dhe mirëkuptim arrijmë të gjitha qëllimet që qytetarët e Malit të Zi na kanë vendosur, veçanërisht atë kryesorin, që vendi ynë të bëhet anëtari i ardhshëm i plotë i BE-së”, tha Mandiq.

Kopman vuri në dukje se sasia e punës përpara Kuvendit është e madhe dhe përgëzoi gatishmërinë e kryetarit të Parlamentit për të organizuar seanca të jashtëzakonshme sa herë të jetë e nevojshme, në mënyrë që koha e disponueshme të përdoret sa më mirë.

Ai gjithashtu kujtoi se të gjithë aktorët duhet të luajnë rolin e tyre që Mali i Zi të përmbushë planin ambicioz për mbylljen e negociatave deri në fund të vitit.

“Inkurajuese është fakti që legjislacioni i BE-së po miratohet me shumicë të madhe, çka tregon se ekziston një konsensus ndërpartiak kur bëhet fjalë për integrimin evropian si prioritet kombëtar”, theksoi Kopman.

SHARE