Foto: Qeveria e Malit të Zi / Vlada Crne Gore
Mali i Zi është shteti që ka shkuar më larg në procesin e integrimeve evropiane dhe mund të arrijë qëllimin e tij për t’u bërë anëtar i Bashkimit Evropian (BE) në vitin 2028, vlerëson ministri i Punëve të Jashtme dhe Evropiane i Sllovakisë, Juraj Blanar.
Ai, në një konferencë të përbashkët me shefin e diplomacisë malazeze, Ervin Ibrahimoviq, theksoi se Sllovakia mbështet Ballkanin Perëndimor në avancimin drejt BE-së.
Sipas Blanarit, BE-ja nuk do të jetë e plotë pa shtetet e këtij rajoni.
“Sot mund të them se shohim me optimizëm ndaj Malit të Zi, sepse ai ka shkuar më larg në këtë proces. Mali i Zi mund të arrijë qëllimin dhe të bëhet anëtar i BE-së në vitin 2028”, deklaroi Blanar.
Ai shtoi se Sllovakia është e gatshme të ndihmojë në këtë proces.
“Bëhuni më optimistë për avancimin dhe anëtarësimin tuaj në BE. Dje, gjatë një bisede, ndjeva se ndoshta ekzistonte një skepticizëm më i madh, por unë mendoj se jeni në rrugën e duhur dhe nuk ka vend për pesimizëm ose skepticizëm”, theksoi Blanar, i cili ndodhet me vizitë në Mal të Zi.
Ai gjithashtu deklaroi se nuk pranohen standarde të dyfishta dhe gjithçka duhet të jetë në përputhje me rregullat që vlejnë nga fillimi i këtij procesi.
Blanar vlerësoi përpjekjet e mëdha të Malit të Zi për të përmbushur të gjitha kriteret që kërkon BE-ja.
“Mbështetja që ka Mali i Zi është padyshim një pikë shumë e rëndësishme. Ne i kemi ndihmuar Malit të Zi edhe gjatë ekspertizës në këtë proces dhe kjo ofertë mbetet e hapur në çdo kohë”, shtoi Blanar.
Ai po ashtu tha se marrëdhëniet dypalëshe mes Malit të Zi dhe Sllovakisë janë në një nivel të shkëlqyer.









