Foto: Qeveria e Malit të Zi / Vlada Crne Gore
Pjesëmarrësit e takimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe miqve të këtij rajoni që u mbajt nën mikpritjen e Zv.kryeministrit dhe ministrit italian të Punëve të Jashtme, Antonio Tajani, janë pajtuar që e ardhmja e rajonit qëndron në anëtarësimin në Bashkimin Evropian (BE).
Në takimin që u mbajt në rezidencën shtetërore Villa Madama në Romë, morën pjesë shefat e diplomacisë së vendeve të Ballkanit Perëndimor, respektivisht të Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi, Bosnjë e Hercegovinës dhe Serbisë, si dhe ministrat e jashtëm të Grupit të Miqve të Ballkanit Perëndimor (Italia, Austria, Kroacia, Greqia, Republika Çeke, Sllovakia dhe Sllovenia).
Të pranishëm ishin edhe përfaqësuesja e lartë e BE-së për politikën e jashtme, Kaja Kallas dhe komisionerja e BE-së për zgjerimin, Marta Kos.
Në fund të takimit Ministria e Jashtme italiane publikoi një deklaratë.
Në deklaratë thuhet se pjesëmarrësit theksuan rëndësinë e të paturit një vizion të përbashkët për ruajtjen e paqes. “Konteksti gjeopolitik në Evropë kërkon që të gjithë ne të qëndrojmë së bashku në unitet dhe solidaritet, të ofrojmë mbështetje të fortë për Ukrainën dhe të mbrojmë rendin ndërkombëtar të bazuar në rregulla. Veprimi së bashku me BE-në është një demonstrim i qartë i orientimit strategjik të partnerëve tanë në Ballkanin Perëndimor. Në dritën e këtyre sfidave komplekse, të gjithë pjesëmarrësit nënvizuan nevojën për të forcuar bashkëpunimin midis BE-së dhe rajonit”, theksoi deklarata.
Gjithashtu u theksua se pjesëmarrësit e takimit ranë dakord për nevojën e forcimit të bashkëpunimit dhe partneriteteve strategjike në menaxhimin e migracionit dhe për të luftuar trafikimin e migrantëve, trafikimin e qenieve njerëzore dhe të gjitha llojet e krimeve të rënda dhe të organizuara.
Në deklaratë thuhet se BE-ja dhe vendet e saj anëtare do të vazhdojnë të punojnë krah për krah me vendet në rajon për të luftuar kërcënimet hibride dhe kibernetike, si dhe për të parandaluar manipulimin dhe ndërhyrjen e informacionit të huaj.
Gjithashtu u theksua se partnerët nga rajoni u mirëpritën për angazhimin e tyre ndaj Politikës së Përbashkët të Sigurisë dhe Mbrojtjes të BE-së (CSDP) dhe kontributin e tyre në misionet dhe operacionet e BE-së.
“E ardhmja e rajonit është brenda BE-së. Prandaj, përderisa BE-ja hyn në një cikël të ri institucional, procesi i integrimit të Ballkanit Perëndimor duhet të mbetet një prioritet si për vendet anëtare ashtu edhe për vendet kandidate. Përpjekjet e vendosura për të forcuar pajtimin dhe stabilitetin rajonal janë ende të nevojshme. Përshpejtimi i procesit të zgjerimit do të thotë mbështetje për integrimin dhe prosperitetin e rajonit. Përderisa të gjithë pjesëmarrësit ranë dakord për nevojën e masave për të forcuar integrimin gradual, pranuan se komunikimi strategjik me publikun duhet të mbetet një nga mjetet kryesore të procesit të zgjerimit”, tha deklarata.