PËRKEQËSOHET KORRUPSIONI NË BE / TRANSPARENCY INTERNATIONAL PUBLIKON RAPORTIN

Foto: AFP

Korrupsioni në vendet e BE-së është përkeqësuar për të dytin vit radhazi, sipas një indeksi vjetor të publikuar të martën, i cili e renditi Hungarinë si performuesin më të keq të bllokut dhe gjeti ekonomi të mëdha si Franca dhe Gjermania, në rënie.

Transparency International (TI), e cila harton Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit, tha se nga 180 shtetet në përgjithësi që ajo anketoi, rreth një e katërta kanë shënuar pikën e tyre më të ulët që kur organizata nisi të përdorë metodologjinë e saj aktuale për klasifikimin e saj global, në 2012.

Indeksi i Transparency International mat perceptimin e korrupsionit në sektorin publik sipas 13 burimeve të të dhënave, nga Banka Botërore deri te firmat private të riskut dhe konsulencës, duke vlerësuar vendet dhe territoret në një shkallë nga 0 “shumë e korruptuar” në 100 “shumë të pastër”.

Aftësia e Evropës për të luftuar korrupsionin është e dobët, cka pengon përgjigjen e bllokut ndaj sfidave që variojnë nga kriza klimatike deri te sundimi i ligjit dhe shërbimet publike të stërngarkuara, thuhet në raportin e këtij viti.

Për disa kohë, zbrazëtirat ligjore, zbatimi i dobët i ligjit dhe mungesa e burimeve, i kanë penguar vendet e BE-së nga trajtimi efektiv i korrupsionit, thanë analistët e Transparency International për Evropën.

“Por tani, disa qeveri po shkojnë më tej, duke minuar ose politizuar kornizat anti-korrupsion dhe duke lejuar erozionin e shtetit të së drejtës”, thanë ata të martën.

SHARE