Foto: Presidenca e Kosovës
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, është takuar në Paris me nënpresidentin e Shteteve të Bashkuara, J.D. Vance, në kuadër të një vizite që është duke zhvilluar në kryeqytetin e Francës, me ftesë të homologut të saj, Emmanuel Macron, për pjesëmarrje në një samit botëror për inteligjencë artificiale.
Përmes një komunikate për media, Presidenca ka thënë se Osmani ka shprehur mirënjohjen e thellë për aleancën e Kosovës me SHBA-në, “duke konfirmuar përkushtimin për thellimin e bashkëpunimit në fusha të interesit të përbashkët”.
Më herët gjatë këtij muaji, Osmani ka zhvilluar një mori takimesh me zyrtarë amerikanë dhe kongresistë në Uashington.
Ajo ka thënë se me administratën e re amerikane të presidentit Donald Trump, Kosova synon të thellojë bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes e të investimeve strategjike.
“Mbështetja amerikane ka qenë dhe mbetet jetike për shtetin tonë”, pati thënë Osmani pas një takimi me Brian Mast, kryetarin e Komisionit për Punë të Jashtme në Dhomën e Përfaqësuesve.