MISIONI I BE-së E VLERËSON “TË QETË DHE ME KUSHTE TË MIRA” DITËN E ZGJEDHJEVE NË KOSOVË

Foto: Erkin Keçi/AA

Të qetë dhe me kushte të mira për votuesit e ka konsideruar ditën e zgjedhjeve të përgjithshme në Kosovë, 9 shkurt 2025, Misioni për Vëzhgimin e Zgjedhjeve nga Bashkimi Evropian (BE), raporton Anadolu.

Shefja e këtij misioni i cili po qëndron në vende të ndryshme të Kosovës tash e disa javë, Nathalie Loiseau, anëtare e Parlamentit Evropian, në një konferencë për media, tha se procesi ishte i mirë, fazat kritike të procesit zgjedhor ende mbeten për t’u zhvilluar.

“Kemi vëzhguar që KQZ-ja ka pasur sfida sa i përket punësimit, trajnimit dhe prokurimit, kjo mund të ketë shkaktuar vonesa të konsiderueshme të cilat tani janë të pamohueshme. Duhet të ketë transparencë të plotë për ato gjëra që nuk shkojnë si duhet dhe pse”, shtoi ajo.

Sipas Loiseau, fushata elektorale në këto zgjedhje ishte konkurruese, por me polarizim dhe ndarje të thellë dhe retorikë të ashpër. Ajo tha se kanë vërejtur përdorimin e gjuhës nxitëse dhe sulmet verbale mbi oponentët në tubime e debate televizive.

“Ne kemi vërejtur me brengosje gjuhën negative nga partia në pushtet kundër medias e gjyqësorit. Bojkotimi i mediave specifike dhe debateve po ashtu ka ndikuar në uljen e mundësisë për votuesit që të bëjnë zgjidhje të mira. Megjithatë transmetuesit kanë dhënë kohë barabartë për të gjithë”, tha Loiseau.

“Ne kemi vëzhguar përdorimin e gjuhës nxitëse gjatë fushatës zgjedhore dhe sulmet e ashpra verbale në oponentë gjatë mitingjeve dhe në debate televizive. Kjo u reflektua edhe në rrjetet sociale. Ne e kemi parë me shqetësim edhe gjuhën negative nga partia në pushtet kundër mediave dhe gjyqësorit”, theksoi Loiseau.

Ajo i cilësoi si ndërhyrje me tone jo diplomatike kritikat e emisarit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), Richard Grenell, karshi kryeministrit, njëherësh kandidatit edhe për mandatin e ardhshëm në këtë pozitë nga Lëvizja Vetëvendosje, Albin Kurtit.

Grenell, gjatë fushatës zgjedhore përgënjeshtroi Kurtin se Kosova dhe SHBA-ja gjatë mandatit qeverisës të Kurtit kishin raporte më të mira se kurrë më parë.

Loiseau shtoi se është e kënaqur që ishte dëshmitare e një procesi zgjedhor që në përgjithësi demonstroi qëndrueshmëri e përkushtim ndaj parimeve demokratike.

Gjithsej 104 vëzhgues nga 27 shtete anëtare të BE-së, si Norvegjia, Zvicra dhe Kanadaja, vëzhguan procesin zgjedhor në Kosovë.

Misioni i tyre ishte që të vlerësohen të gjitha aspektet dhe fazat e procesit zgjedhor, përfshirë kornizën ligjore dhe zbatimin e saj, performancën e administratës zgjedhore, rolin e institucioneve të Kosovës, regjistrimin e votuesve, aktivitetet e fushatave dhe financat e fushatave dhe të tjera.

SHARE