Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, njoftoi se u ka hequr shtetësinë katër ligjvënësve ukrainas të dyshuar për tradhti, tre prej të cilëve janë pjesë e një partie të ndaluar pro-ruse. Shtetësia iu hoq Andriy Derkach, Taras Kozak, Renat Kuzmin, dhe Viktor Medvedchuk. Sipas presidentit ukrainas, kjo u bë “bazuar në materialet e përgatitura nga Shërbimi i Sigurisë së Ukrainës dhe nga Shërbimi Shtetëror i Sigurisë”. Të paktën tre prej këtyre personave gjenden jashtë vendit dhe që të gjithë janë nën procedime ligjore nën dyshimet për tradhti, që kur Rusia nisi pushtimin e Ukrainës në fund të shkurtit të vitit të kaluar. “Nëse përfaqësuesit e zgjedhur të popullit, zgjedhin të shërbejnë jo për popullin e Ukrainës, por për vrasësit që kanë ardhur në Ukrainë, ne do të marrim masa”, tha Zelensky. Ai edhe shtoi se këto nuk do të jenë vendimet e fundit të këtij lloji. Derkach, Kozak, Kuzmin, dhe Medvedchuk ishin zgjedhur deputetë në Parlamentin ukrainas, nga partia Platforma Opozitare për Jetën. Kjo parti, aktualisht është e ndaluar në Ukrainë. Derkach ka qenë deputet për më shumë se dy dekada, por hetuesit besojnë se ai ka marrë më shumë se gjysmë milioni dollarë nga agjencitë e zbatimit të ligjit dhe të inteligjencës së Rusisë “për aktivitete subversive kundër Ukrainës gjatë viteve 2019-2022”. Ai nuk ka marrë pjesë në asnjë seancë plenare që nga shkurti i vitit të kaluar. Ndërsa Medvedchuk, që thotë se kumbari i të bijës është vetë Putini, u arrestua në prill dhe iu dorëzua rusisë në shtator në kuadër të një shkëmbimi të burgosurish. Kozak, në anën tjetër është larguar nga ukraina në 2021. Hetuesit kanë thënë se ligjvënësi i katërt, Kuzmin, “ka publikuar në media materiale propaganduese në dëm të Ukrainës”. Asnjë nga këta katër deputetë nuk ka reaguar publikisht pas këtij vendimi të Zelenskit.