PRESIDENTJA OSMANI PRITI NË TAKIM ZYRTARIN E LARTË TË DEPARTAMENTIT TË SHTETIT TË SHBA-së, DEREK CHOLLET

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur në takim një delegacion të lartë të Departamentit Amerikan të Shtetit, të udhëhequr nga zyrtari i lartë Derek Chollet. Osmani dhe Chollet kanë konfirmuar marrëdhëniet e shkëlqyera të Kosovës me SHBA-në si aleatin kryesor të Kosovës, si dhe janë angazhuar për fuqizimin e mëtejmë të bashkëpunimit ndërmjet dy shteteve. Osmani e ka falënderuar Chollet për angazhimin proaktiv të SHBA-së në procesin e dialogut Kosovë-Serbi, duke theksuar se angazhimi i shtuar amerikan në këtë drejtim është vendimtar për të siguruar rezultat të suksesshëm në dobi të qytetarëve. Osmani tha se marrëveshja përfundimtare, e cila duhet ta ketë në qendër njohjen e ndërsjellë, ka për qëllim përmirësimin e jetës së qytetarëve dhe arritjen e paqes së qëndrueshme dhe afatgjate në rajon. Osmani dhe Chollet biseduan edhe për zhvillimet e fundit në vend dhe rajon, duke potencuar aleancën dhe afërsinë e theksuar të Serbisë me Rusinë dhe rreziqet që paraqet ky raport jo vetëm për Kosovën, por edhe për aleancën euroatlantike. Këtu Osmani theksoi se me mbështetjen e Rusisë, Serbia vazhdon të jetë forcë destabilizuese dhe kërcënim për paqe të qëndrueshme në rajon. Presidentja Osmani në takim me delegacionin e lartë amerikan konfirmoi partneritetin historik dhe të pathyeshëm në mes të ShBA-së dhe Kosovës, “ndaj pikërisht kjo është një bazë e fortë për rritjen e bashkëpunimit në fushën ushtarake dhe atë ekonomike”. Në fund Presidenca njoftoi se bazuar në nismën e presidentes Osmani për Dialog Strategjik ndërshtetëror me SHBA-në, të iniciuar formalisht nga presidentja Osmani para gjashtë muajsh, është shprehur gatishmëri për përshpejtimin e procesit të dialogut në përfitim të qytetarëve të të dy shteteve.

SHARE