PARTITË POLITIKE DËSHTOJNË NË NJË TJETËR PROVË REFORMUESE

Forcat politike në Mal të Zi i përgjigjen një administrate të politizuar zgjedhore, e cila preferon të mbrojë interesat e partive në vend të ligjshmërisë së procesit zgjedhor, thanë nga Qendra për Tranzicionin Demokratik. Ajo organizatë joqeveritare publikoi një analizë “A mund të arrijmë një administrim efektiv zgjedhor”, në të cilën trajtuan probleme të rëndësishme në rrugën e depolitizimit dhe profesionalizimit të administratës zgjedhore dhe ofruan opsione për zgjidhjen e tyre, të cilat janë në përputhje me standardet zgjedhore vendase dhe ndërkombëtare. Zëvendësdrejtoresha e programit të QTD-së Milena Gvozdenoviq tha se hapi i parë është krijimi i një administrate eksperte me një numër më të vogël anëtarësh dhe një shërbim të zhvilluar profesional. “Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve (KSHZ) duhet të përbëhet nga anëtarë që plotësojnë kërkesat e përcaktuara rreptësisht të ekspertizës dhe paanshmërisë politike”, tha Gvozdenoviq. Ajo shtoi se një numër më i vogël i anëtarëve do të rezultojë në diskutime dhe vendimmarrje më efikase. Gvozdenoviq tha se është e nevojshme t’i sigurohet autonomi financiare Komisionit. Ajo ka vlerësuar se partitë politike kanë dështuar në një test tjetër reformues. Sipas saj, partitë politike nuk kanë dashur një ambient zgjedhor më të organizuar dhe nuk e kanë konsideruar të rëndësishme përmbushjen e atij kriteri politik për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

SHARE