KRYEMINISTRI RAMA TAKIM ME DREJTUESIT E PARTIVE POLITIKE SHQIPTARE TË MAQEDONISË SË VERIUT

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka takuar në Tiranë drejtuesit e partive politike shqiptare të Maqedonisë së Veriut. Në takimin e realizuar në rezidencën qeveritare në kryeqytetin e Shqipërisë ishin të pranishëm kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti, kryetari i Partisë Alternativa, Afrim Gashi, kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari dhe kryetar i Partisë Demokratike Shqiptare (PDSH), Menduh Thaçi. Ndërkohë, duke publikuar në rrjetet sociale foto nga takimi, kryeministri Rama ka shkruar: “Qoftë një vit i mbarë për shqiptarët kudo ku janë”. Në një deklaratë për mediat pas takimit, kryetari i BDI-së, Ahmeti, theksoi se vëmendja u përqendrua tek rrugëtimi i përbashkët që kanë bërë Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut drejt hapjes së negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

“Pati një ligjërim nga kryeministri i Shqipërisë për sfidat, për përpjekjet e përbashkëta që janë bërë bashkë me vendin tonë, si dhe përpjekjet që duhen bërë bashkërisht drejt hapjes së kapitullit të parë për negociatat për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Të dyja vendet duhet të bashkëkoordinohen në këmbim të përvojave, eksperiencave, që ta shkurtojmë rrugën drejt anëtarësimit të plotë në BE”, tha ai. “Mendoj që nuk ka asnjë arsye të keqpërdoret ky takim, sepse është biseduar për fatet e përbashkëta, si të shtetit tonë ashtu edhe të Shqipërisë”, shtoi Ahmeti. Kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Taravari, gjithashtu deklaroi se biseduan për të ardhmen e përbashkët të Shqipërisë dhe Maqedonisë drejt Bashkimit Evropian.

“Një takim i fillim vitit, një analizë e përgjithshme në Shqipëri, Maqedoninë e Veriut dhe rajon, analiza e invazionit rus në Ukrainë, gjendja ekonomike”, shtoi ai. Kryetari i PDSH-së, Thaçi, në deklaratën për mediat, tha se biseduan për të ardhmen e përbashkët në Bashkimin Evropian. “Ishte një takim vëllazëror. I uruam vitin e ri njëri-tjetrit, të gjithë shqiptarëve”, u shpreh Thaçi.

SHARE